Bota

Vota e Vance miraton projektligjin "e madh dhe të bukur" të taksave të Trump

Projektligji u miratua me 51 vota pro dhe 50 kundër.

k.m.
Vota e Vance miraton projektligjin "e madh dhe të bukur" të
Pamje nga Senati

SHBA- Projektligji i ri tatimor i Donald Trump mori "dritën jeshile" nga Senati me një shumicë të ngushtë prej 51 votash pro dhe 50 kundër, pas një maratone konsultimesh dhe përçarjesh të forta brenda partisë Republikane. Vota vendimtare u hodh nga zëvendëspresidenti J.D. Vance, ndërsa tre senatorë republikanë, nga Maine, Karolina e Veriut dhe Kentucky, votuan kundër projektligjit.

Projektligji është kritikuar ashpër sepse nuk kufizohet vetëm në zgjatjen e lehtësirave ekzistuese tatimore, por prezanton edhe lehtësira të reja. Sipas vlerësimeve, ai do ta rrisë borxhin e SHBA-së me 3 trilion dollarë gjatë 10 viteve të ardhshme dhe do ta vendosë SHBA-në në një rrugë të rrezikshme fiskale. Në të njëjtën kohë, të ardhurat pritet të ulen për dekada të tëra. Shkurtimet e propozuara mund të godasin "Medicaid", programin qeveritar të kujdesit shëndetësor për të varfrit dhe të moshuarit , si dhe programet e ndihmës ushqimore për më të varfrit dhe personat me aftësi të kufizuara.

Sakaq, presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar pasi Senati miratoi projektligjin të tij për shpenzimet.

“Uau, muzikë për veshët e mi,”- u tha presidenti amerikan gazetarëve pasi iu tha rezultati i votimit. Ndërsa kur zbuloi se projektligji u miratua me votën e zv.presidentit JD Vance tha: Ai po bën një punë të mirë. 

Hapat e ardhshëm

Projektligji tani do të kthehet në Dhomën e Përfaqësuesve. Qëllimi i Donald Trump është të miratojë rregulloret e reja para 4 korrikut, Ditës së Pavarësisë. Projektligji më pas do t'i përcillet Shtëpisë së Bardhë që Trump ta nënshkruajë. Fati i projektligjit në Dhomën e Përfaqësuesve pritet gjithashtu të vendoset me një diferencë të ngushtë votash, pasi republikanët mbajnë një shumicë prej tetë vendesh (220-212).

Versioni origjinal i projektligjit u miratua në maj me vetëm dy vota. Por në të njëjtën kohë, shumë republikanë thonë se nuk i mbështesin ndryshimet e bëra në Senat. Një grup konservatorësh të vijës së ashpër kanë kërcënuar vazhdimisht se nuk do ta mbështesin projektligjin për taksat, por kërkojnë shkurtime më të mëdha se ato të miratuara nga Senati.

“Versioni i Senatit i shton deficitit 651 miliardë dollarë - dhe kjo pa normën e interesit, e cila pothuajse dyfishon totalin. Kjo nuk është përgjegjësi fiskale. Ne nuk ramë dakord me këtë,”- tha grupi të hënën.

Republikanët më të moderuar, veçanërisht ata që përfaqësojnë zonat më të varfra, kundërshtojnë shkurtimet në "Medicaid".

“Unë nuk do të mbështes një ligj që eliminon fondet jetësore për spitalet tona,”- tha David Valantao, një demokrat nga Kalifornia, fundjavën e kaluar.

Megjithatë, edhe pa projektligjin, borxhi pritet të arrijë nivele rekord në dekadat e ardhshme, duke vlerësuar se borxhi publik, i cili aktualisht është afërsisht sa madhësia e ekonomisë, do të rritet duke u bërë rreth 56% më i madh se ekonomia deri në vitin 2055.

Skenari më i keq për borxhin e vendit është se investitorët që i japin hua qeverisë përfundimisht do të humbasin besimin në aftësinë e Uashingtonit për t'i shlyer ato. Kjo mund t'i shtyjë investitorët të fillojnë të presin norma më të larta interesi për obligacionet e thesarit, një ndryshim që mund të rrisë koston e huamarrjes në të gjithë ekonominë dhe të ushtrojë një barrë të konsiderueshme mbi financat e amerikanëve./ZËRI

Poll

MOS HUMB