Bota

Trump i ka 'vënë syrin' Groenlandës! Ekspertët analizojnë mundësitë, vjedhje ose “marrëveshja e shekullit”

Nëse Donald Trump është me të vërtetë i vendosur për të marrë nën kontroll ishullin, ai mund të përpiqet ta blejë atë plotësisht.

k.m.
Trump i ka 'vënë syrin' Groenlandës! Ekspertët
Donald Trump

SHBA- Presidenti i sapozgjedhur amerikan dëshiron të vendosë Groenlandën nën kontrollin amerikan, edhe pse Danimarka ngul këmbë dhe thotë se ishulli më i madh evropian nuk është në shitje! Por përveç Trump, edhe zëvendëspresidenti i Trump, JD Vance tha se "duhet bërë një marrëveshje për Groenlandën". Madje ka disa opsione sesi Amerika mund ta vendosë ishullin nën kontrollin e saj, duke përfshirë edhe blerjen.

Nëse Donald Trump është me të vërtetë i vendosur për të marrë nën kontroll ishullin, ai mund të përpiqet ta blejë atë plotësisht. Por Trump, megjithatë, nuk përjashtoi mundësinë e pushtimit të ishullit. Edhe pse nuk ka gjasa të ndodhë, ekspertët thonë se një retorikë e tillë është shqetësuese.

"Retorika si kjo e Trump është shqetësuese, sepse ai është presidenti i ardhshëm i SHBA-së dhe fjalët e tij në vetvete kanë pasoja për marrëdhëniet me jashtë,"-tha Brian Finucane, ish-këshilltar ligjor në Departamentin e Shtetit.

Zëvendëspresidenti i Trump, Jay Dee Vance, tha në një intervistë të transmetuar të dielën në "Fox News" se forca ushtarake nuk është e nevojshme në Groenlandë, por shtoi se SHBA ka tashmë trupat e saj të stacionuara në ishull.

"Groenlanda është strategjikisht shumë e rëndësishme për Amerikën dhe ka burime të mëdha natyrore,"- tha Vance.

Ai shtoi se njerëzit që takoi djali i Trump, Donald Jr. në Groenlandë gjatë vizitës së tij javën e kaluar, thanë se "duan të autorizohen për të zhvilluar" ato burime natyrore që ka vendi. Madje theksoi se vendasit i ishin ankuar se qeveria daneze nuk kishte bërë mjaftueshëm për ishullin.

Një marrëveshje e mundshme me Groenlandën - e pasur me minerale të paeksploruara dhe hidrokarbure nën shtresat e akullit - mund t'i japë SHBA-së qasje ekskluzive ushtarake dhe të drejtën për të përcaktuar se cilat kombe të tjera mund të vendosin trupa në ishull. Kjo mund t'i japë Pentagonit një prani më të madhe në rajon, ndërkohë që kufizon aksesin kinez në rrugët e transportit detar të Arktikut.

James Stavridis, ish-komandanti suprem i forcave të NATO-s në Evropë, beson se komentet e Trump për Groenlandën "nuk janë të çmendura".

"Nuk është një ide e çmendur... Ne mund të bëjmë shumë përsa i përket biznesit, investimeve, duke përjashtuar rusët dhe kinezët, dhe të punojmë shumë ngushtë me Groenlandën. Është plot me minerale strategjike, metale të rralla, ndoshta shumë ar. Ka shumë burime natyrore. Nuk ka pse të bëhet vendi i 51-të. Për më tepër kur kryeministri i Grenlandës tha: “Nuk jemi në shitje, por jemi të hapur për biznes”. Mendoj se duhet ta mendojmë fjalën e tij," - tha ai në një intervistë për radion 'WABC' të dielën.

Kryeministri i Groenlandës, Mute Egede zgjodhi që në të gjithë këtë diskurs të ishte "biznesmen".

"Ne nuk duam të jemi danezë, as amerikanë. Ne duam të jemi groenlandezë. Jemi gati të bisedojmë me Trump,"-tha ai.

Duke qenë se Trump e ka bërë të qartë se e ka seriozisht me Groenlandën, kjo ngre pyetjen se çfarë do të ofronte Amerika për të marrë atë që do. David Barker, një zhvillues i pasurive të paluajtshme dhe ish-ekonomist në Bankën e Rezervës Federale të Nju Jorkut, vlerësoi për The Neë York Times se Groenlanda mund të vlejë midis 12.5 miliardë dhe 77 miliardë dollarë, bazuar në çmimin e Ishujve të Virgjër dhe Alaskës. Në 1867, SHBA bleu Alaskën nga Rusia për 7.2 milion dollarë (rreth 150 milion sot), ndërsa Ishujt e Virgjër për 25 milion dollarë.

Sidoqoftë, ekspertët bien dakord për një gjë. Blerja e Groenlandës, do të ishte "marrëveshja e shekullit".

Republikanët përgatitën një ligj për blerjen e Groenlandës

Ligjvënësit republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së po përpiqen të marrin mbështetje për një projekt-ligj që autorizon bisedimet për të blerë Groenlandën. Projektligji do të lejojë Trump të hyjë në negociata me Danimarkën duke filluar nga 20 janari, kur ai të marrë detyrën si president i SHBA. Në projektligj theksohet se “jo më vonë se pesë ditë kalendarike pas arritjes së një marrëveshjeje me Danimarkën”, e cila i referohet marrjes së Groenlandës, presidenti amerikan do t'ia përcjellë marrëveshjen, përfshirë të gjitha materialet dhe anekset përkatëse, komitetit përkatës të Kongresit./ZËRI

Poll

MOS HUMB