
SHBA- Meteorologu i Altadinës, Edgar McGregor, 24 vjeç, ishte i vetmi person që parashikoi zjarret shkatërruese që dogjën kodrat e Los Anxhelosin. Për shkak të apeleve që u bëri fqinjëve, shumë persona arritën që të shpëtonin në kohë nga flakët, e tani Edgar është kthyer në një hero.
I riu ndau informacione rreth zjarrit në faqen e tij në Facebook më 7 janar, disa orë para se të nisnin zjarret e mëdha. Ai tregon se ndryshimi i motit dhe thatësira, ishin dy nga shenjat që "paralajmëruan" katastrofën që po afrohej. Kështu përveç postimit të tij në Facebook, ai paralajmëroi fqinjët që të mos flinin atë natë, por të paketonin valixhet dhe të nisnin evakuimin. Duke folur për "People", ai tha se një javë para zjarrit iu bë e qartë se situata mund të ishte "kataklizmike", ndaj edhe nisi nga puna për të bindur fqinjët e tij, ose kushdo që do ta dëgjonte.
"E dija më 30 dhjetor që kur të fillonte era, do të përfundonim si në Hawaii. I thashë njerëzve, nëse bie zjarri në pyll, do të digjen një mijë shtëpi. Kjo do të ishte katastrofike. Nuk e mendoja se janari ishte muaji kur do të ndodhte, por shpresoj ta bëja punën time duke i paralajmëruar të gjithë,"-tha ai.
Po ashtu, meteorologu 24-vjeçar parashikon se asgjë nuk ka mbaruar.
Ç'dimë deri më tani për zjarret në Kaliforni?
Zjarret, ndër fatkeqësitë natyrore më të rënda që kanë goditur ndonjëherë Kaliforninë, kanë djegur më shumë se 12000 ndërtesa, ndërsa 24 persona kanë humbur jetën. Autoritetet ende nuk caktojnë dot shkakun e flakëve. Shkencëtarët vlerësuan se zjarret e shkaktuara nga erërat e forta erdhën në një kohë veçanërisht problematike për Kaliforninë Jugore, sepse nuk kishte pasur reshje të konsiderueshme në muajt e fundit. Hetimet për shkaqet vijojnë, ndërsa meteorologët bëjnë të ditur se kushtet e pafavorshme për përhapjen e zjarrit do të zgjasin deri në fund të javës.
Por një ngjarje e tillë duhet të ketë gjithmonë një fajtor. E mesa duket, sipas qytetarëve bëhet fjalë për kryetaren e Los Angeles-it, Karen Bass. Bass nuk pranoi t'u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve në lidhje me zjarret. Po ashtu, qytetarët e kanë kritikuar sepse ishte jashtë vendit dhe u kthye nga Gana vetëm të mërkurën. Për më tepër që ishte pikërisht ajo që u përpoq të shkurtonte buxhetin e Departamentit të Zjarrfikësve të Los Anxhelosit me rreth 23 milionë dollarë në vitin 2024, por në fund u desh të kënaqej me një shkurtim prej 17.6 milionë dollarësh. Ndryshe nga Bass, Biden anuloi gjithashtu udhëtimin e tij në Itali për shkak të zjarreve. Sipas një vlerësimi nga kompania amerikane e shërbimeve financiare shumëkombëshe 'JP Morgan', humbjet ekonomike nga zjarret me gjasë janë dyfishuar vetëm në 24 orët e fundit dhe tani janë afër 50 miliardë dollarë. Ndërsa sipas vlerësimeve të faqes së internetit Accuweather, dëmet dhe humbjet ekonomike kalojnë aktualisht shumën prej 135 deri në 150 miliardë dollarë./ZËRI