KOSOVË- Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj Fehim Salit, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të spiunazhit.
Kërkesa është bërë pas arrestimit të djeshëm të Salit, shtetas i Kosovës, në pikën kufitare në Merdar, nën dyshimin për spiunazh.
Sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale, të cilën e ka parë Radio Evropa e Lirë, Sali dyshohet se për një periudhë të pacaktuar deri më 13 gusht i ka ofruar vazhdimisht informacione dhe ndihmë Shërbimit Inteligjent të Serbisë (BIA), me qëllim të përfitimit material.
Prokuroria thotë se ai i ka ofruar BIA-s informacione për situatën politike në Kosovë, ka fotografuar dhe identifikuar zyrtarë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), si dhe ka ofruar të dhëna për persona që, sipas Prokurorisë, i përkasin sektit vehabi.
Disa prej këtyre personave, thuhet në kërkesë, Sali i ka propozuar si objektiva të mundshëm për kontaktim dhe rekrutim.
"Dyshimi i bazuar mirë u vërtetua edhe nga deklarata e vet të pandehurit i cili në detaje përshkruan veprimet e tij inkriminuese, duke ofruar mënyrat dhe vendtakimet e komunikimit dhe ofrimit të informacioneve dhe ndihmën për BIA-n serbe", thuhet në kërkesën e Prokurorisë Speciale.
Sipas Prokurorisë, paraburgimi është i nevojshëm për të parandaluar vazhdimin e veprës penale, rrezikun e arratisjes së tij, duke pasur parasysh edhe shtetësinë serbe, si dhe mundësinë e zhdukjes ose dëmtimit të provave.
Më herët, Prokuroria Speciale kishte njoftuar se i dyshuari ishte ndaluar për 48 orë, ndërsa hetuesit policorë kishin kryer edhe një bastisje në vendbanimin e tij në Dragash.
Gjatë bastisjes, sipas Prokurorisë, janë gjetur dhe sekuestruar 39.500 euro para të gatshme, 500 dinarë serbë dhe katër telefona celularë.
Sali, i cili vjen nga Komuna e Dragashit dhe është i angazhuar në sistemin arsimor serb në Kosovë, kishte qenë edhe anëtar i Këshillit Konsultativ për Komunitete, që vepron pranë Presidencës së Kosovës.
Sipas Presidencës, ai kishte qenë anëtar i Këshillit si përfaqësues i komunitetit goran për dy mandate, nga viti 2020 deri më 2022 dhe nga viti 2022 deri më 2024.
Ai ishte shkarkuar nga Këshilli më 3 maj 2024, pas një raporti të informacioneve të sigurisë dhe me propozim të sekretarit të Këshillit.
Në një përgjigje për REL-in, Presidenca kishte thënë se Sali nuk është anëtar i Këshillit që nga shkarkimi i tij në vitin 2024, ndërsa nuk kishte dhënë detaje për raportin e sigurisë.
Spiunazhi, sipas Kodit Penal të Kosovës, përfshin veprimet e fshehta të mbledhjes, transmetimit ose shpërndarjes së informacionit të ndjeshëm te një shtet, organizatë ose grup tjetër dhe dënohet me së paku pesë vjet burgim./REL