
KIEV - Ukraina duhet të mbetet një vend demokratik. Kështu thotë kryetari i bashkisë së Kievit Vitaliy Klitschko në një intervistë për ARD-në gjermane. Në këtë drejtim, ka disa lëvizje nga lidershipi ukrainas, me të cilat ai nuk është dakord.
Shembulli i parë i kësaj është deklarata e Serhiy Leshchenko, anëtar i kabinetit të presidentit, se ukrainasit që janë jashtë vendit duhet të kthehen në atdheun e tyre dhe ta ndihmojnë atë - dhe se Bashkimi Evropian duhet të ndalojë së ofruari mikpritje për këta njerëz, shkruan DW. Klitschko thotë se ishte i befasuar nga kjo deklaratë.
“Nëse jemi një vend demokratik dhe i detyrojmë njerëzit të vijnë në Ukrainë, atëherë për mendimin tim është shkelje e të drejtave të njeriut. Të gjithë kanë të drejtën e mbrojtjes dhe askush nuk mund t'i detyrojë njerëzit që janë jashtë vendit, të vijnë. Ne mund t'i bindim njerëzit, t'i ftojmë, t'i pyesim ata. Por unë besoj se shtrëngimi nuk është mënyra e duhur”, tha ai.
Roli i pushtetit qendror
Duke qenë se në Kiev, përveç administratës civile të Klitschkos, ka edhe një administratë ushtarake, gazetarja Sabina Adler, e cila raporton rregullisht për shërbimin publik gjerman ARD nga kryeqyteti i Ukrainës, donte të zbulonte nëse lufta është një justifikim për një kthim në centralizim. Përgjigja e Klitschkos ishte se reformat e vetëqeverisjes janë të suksesshme. “Keni të drejtë, sepse reformat e vetëqeverisjes dhe decentralizimit janë ndër më të suksesshmet që janë zbatuar vitet e fundit”, tha ai.
Duke kujtuar se në Ukrainë ka tentativa për të frikësuar gazetarët, se opozita është praktikisht e padukshme dhe që debatet në parlament shfaqen në mes të natës, gazetari i ARD-së tha se bota njeh vetëm Zelenskyyn në Ukrainë, sepse vetëm ai shfaqet në mediat globale.
“Keni të drejtë”, përgjigjet sërish Klitschko dhe shton se centralizimi është një tendencë e rrezikshme kur bëhet fjalë për vendimmarrje. ‘Të mos flasësh për këtë është të pajtohesh me të’, tha ai, duke vënë në dukje se themelet e demokracisë duhet të ruhen edhe në luftë, përndryshe Ukraina nuk do të ndryshojë nga Rusia.
Marrëdhënie të këqija me Zelenskyyn
Sipas Klitschkos, një nga provat e rëndësisë së vetëqeverisjes është se ajo funksionoi veçanërisht mirë në muajt e parë të luftës - në drejtim të mbrojtjes territoriale, mbështetjes për ushtrinë dhe mbrojtjes së qyteteve.
Ai kujtoi se kjo ishte e qartë edhe për rusët. Klitschko u shpreh se zyrtarët e lartë lokalë janë të parët që janë vrarë nga forcat ruse. “Objektivi i tyre i parë ishin kryetarët e bashkive: 37 prej tyre u rrëmbyen, një u vra dhe pesë prej tyre janë ende të zhdukur sot”, u shpreh ai. Volodymir Zelenskyy duket se përpos se ka një luftë me armikun e jashtëm Rusinë, ka edhe “armiq” të shumtë politikë. Vitaliy Klitschko u ankua gjithashtu se që nga fillimi i luftës nuk kishte pasur asnjë takim me presidentin Zelenskyy, se ai u përpoq të fliste me të disa herë në telefon, por pa sukses.
Sipas tij, detyra e presidentit është të bashkojë shoqërinë. Klitschko tha se presidenti duhet të jetë një figurë që i bashkon të gjithë njerëzit. Në Ukrainën e sotme, megjithatë, ekonomia ndjen presionin e qeverisë qendrore, e cila, siç beson Klitschko, është e gabuar. Kjo është arsyeja pse mesazhi i tij është se Ukraina duhet të mbetet demokratike./ZËRI/