
BRUKSEL- Fermerët përshkallëzojnë protestat. Një mijë traktorë kanë bllokuar sot rrugët në Bruksel rreth vendit ku do të zhvillohet Samiti i 27 vendeve anëtare, për të shprehur edhe njëherë sfondin e tyre në politikën europiane. Në mbështetje kanë shkuar edhe fermerë nga vende si Gjermania, Franca, Italia, Spanja, Rumania, etj. Për të ndalur protestën, Policia hodhi gaz lotsjellës dhe ujë mbi turmën që kërkonte të rrëzonte barrierat, por me ndërhyrjen e Policisë nuk ia dolën. Fermerët e zemëruar kanë ndezur zjarre jashtë ndërtesës së Parlamentit Evropian në Bruksel në shenjë proteste kundër taksave, rritjes së kostove dhe importeve të lira. Ndërsa me pankartat e tyre, përçonin mesazhe: Nëse e doni Tokën, mbështesni ata që e menaxhojnë; Pa fermerë, pa ushqim.

Por Brukseli nuk është vendi i vetëm që po protestohet. Në Francë, ku protestat vazhdojnë prej javësh, qeveria premtoi më shumë ndihmë dhe hoqi dorë nga planet për të reduktuar gradualisht subvencionet për naftën bujqësore. Por fermerët, të pakënaqur me masat e deritanishme, kanë përhapur protestën në vende të tjera si: Belgjika, Spanja, Portugalia, Holanda, Gjermania dhe Italia.

Në Itali, ku qindra traktorë bllokuan trafikun në një autostradë pranë Milanos të mërkurën, zëvendëskryeministri Matteo Salvini fajësoi presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen për protestat. Ditët e fundit fermerët italianë kanë protestuar edhe në Toskana, Lacio, Piemonte dhe Sardenjë.
Drejt një kompromisi për Ukrainën
Lufta në Ukrainë i ka përkeqësuar gjërat. Rritja e çmimit të grurit rezultoi jetëshkurtër. Dhe taktikat e Rusisë kanë ndërprerë flukset tregtare, duke shkaktuar një tepricë të ofertës. Fermerët polakë ishin të parët që dolën në rrugë dhe bllokuan kalimet kufitare, që në pranverën e vitit 2023. Ndaj edhe samiti i sotëm, i cili është thirrur për të zgjidhur këtë çështje, shihet si shansi i fundit për të arritur një marrëveshje mbi një plan shpëtimi katërvjeçar prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën – një plan që po kundërshtohet fuqishëm nga Hungaria. Por pas disa orësh diskutime me kryeministrin Viktor Orban, Charles Michel, presidenti i Këshillit Evropian njoftoi se është arritur një marrëveshje për 50 miliardë euro për Ukrainën.
Megjithëse problemet ndryshojnë nga vendi në vend, një pjesë e madhe e fermerëve ankohen për kuadrin e tepruar të rregulloreve dhe burokracisë së BE-së që ngre barriera në akses, kosto të larta dhe rënie të të ardhurave./ZËRI