
GAZA - Shumë izraelitë ndoshta ishin ende në gjumë, kur nisi sulmi i Hamasit ndaj Izraelit. E shtuna ishte ditë e shenjtë hebreje, që do të thotë se njerëzit kanë qenë nëpër shtëpi ose në sinagogë dhe shumë miq kishin planifikuar të takoheshin.
Kur dukej të ishte një ditë festive e zakonshme, në mëngjes, shumë raketa u panë të kalojnë nëpër qiell, duke shënuar fillimin e një sulmi të paprecedentë, si në përmasa, ashtu edhe në koordinim. Për vite me radhë, Izraeli ka vendosur një kufi me Palestinën, duke iu lënë palestinezëve një enklavë në Rripin e Gazës.
Raketat nisën të ‘fluturojnë’ në qiellin izraelit rreth orës 06:30 minuta. Organizata ekstremiste islamike Hamas, e cila kontrollon Gazën dhe është cilësuar si një grup terrorist në Britaninë e Madhe dhe vende të tjera perëndimore të botës, shpesh përdor taktika lufte. Këto raketa shpesh kanë vështirësi në shmangien e sistemit të avancuar të mbrojtjes të Izraelit, të quajtur Iron Dome. Por, raketat e Hamasit këtë herë u lëshuan në një periudhë shumë të shkurtër kohore dhe sistemi izraelit i zbulimit raketor nuk funksionoi.
Përmesat e sulmit tregojnë se për të pasur sukses, janë dashur muaj për të planifikuar hedhjen e raketave. Hamasi thotë se ka lëshuar 5000 raketa, (Izraeli pretendon gjysmën e këtij numri). Sirenat e sulmit ajror po dëgjoheshin deri në Tel Aviv, që ndodhet 60 kilometra larg nga Gaza. Sirenat janë dëgjuar edhe në Jerusalemin perëndimor. Shumë qytete u përfshinë nga tymi. Ndërsa raketat ishin ende duke u lëshuar, luftëtarët po grumbulloheshin në vendet, ku ata planifikonin të kalonin kufirin e fortifikuar të Gazës. Megjithëse Izraeli tërhoqi trupat nga Gaza në vitin 2005, ai ende kontrollon hapësirën ajrore të qytetit, kufirin e përbashkët dhe vijën bregdetare.
Krahas patrullimeve të rregullta ushtarake rreth perimetrit të sigurisë, i cili në disa vende është mur betoni, e në vende të tjera gardh me tela, ka edhe një rrjet kamerash dhe sensorësh që parandalojnë çdo ndërhyrje.
Si depërtoi Hamasi?
Disa luftëtarë të Hamasit u përpoqën të anashkalonin plotësisht gardhin, duke përdorur pajisje për një ‘fluturim’ të shkurtër (pamjet e pakonfirmuara tregojnë se të paktën shtatë militantë të Hamas, ‘fluturojnë’ me parashuta mbi territorin e Izraelit). Disa të tjerë udhëtuan me varkë nga deti. Forcat Mbrojtëse të Izraelit thanë se zmbrapsën dy përpjekje të Hamasit për të kaluar në Izrael me anije.
Por ajo që e dallon këtë sulm nga të mëparshmit është se sulmi i tanishëm është më i koordinuar. Militantët e Hamasit kaluan me motorë nëpër gardhe, duke i çarë ata mes për mes, me shpejtësi e vendosmëri. Në pjesën e kufirit me më pak pengesa, është parë një buldozer duke shembur një pjesë të gardhit me tela me gjemba. Në Erez, vendkalimi më verior nga Gaza, rreth 43.4 kilometra nga Kerem Shalom, Hamasi arriti të vendosë nën kontroll një vendkalim tjetër. Tetë burra të armatosur me pushkë vrapojnë drejt pikës së kontrollit të fortifikuar dhe qëllojnë mbi trupat izraelite.
Në një video, të publikuar në rrjetet sociale nga grupe pro militantëve të Hamas, trupat e ushtarëve izraelitë shihen të shtrirë në tokë, ndërsa ushtarët e Hamas kalojnë nga dhoma në dhomë duke parë tërësisht kompleksin ushtarak. Ushtarët duken të trajnuar mirë. Gaza ka shtatë kalime zyrtare, gjashtë të kontrolluara nga Izraeli dhe një që kontrollohet nga Egjipti. Por brenda pak orësh, Hamasi gjeti një mënyrë për të pushtuar territorin izraelit përgjatë gjithë gardhit kufitar.
Sulmet u drejtuan drejt territorit izraelit
Luftëtarët e Hamasit janë shpërndarë nga Gaza në të gjitha drejtimet e mundshme. Autoritetet izraelite thanë se militantët sulmuan 27 vende të ndryshme. Ushtarët e Hamas duket se kanë marrë urdhër, që të vrasin çdo ushtar izraelit që shikojnë. Hamasi arriti të depërtonte deri në qytetin e Ofakim, i cili ndodhet 22.5 kilometra në lindje të Gazës.
Në Sderot, ekstremistët mund të shiheshin duke qëndruar në majë të një kamioni që kalonte nëpër qytet, rreth 3 kilometra në lindje të Gazës. Një duzinë luftëtarësh të armatosur mund të shiheshin në rrugët e zbrazëta të Ashketon, në veri të Erez. Skena të ngjashme u përsëriten në të gjithë Izraelin jugor dhe civilëve u është thënë nga ushtria të qëndrojnë brenda banesave dhe të fshihen.
Në një festival muzikor pranë Reimit, luftëtarët qëlluan mbi një grup të madh të rinjsh, që ishin mbledhur në afërsi të një shkretëtire. Një dëshmitar okular i tha BBC-së se ekstremistët lëviznin me furgona plot me armë. Pengjet e marra në festival dhe vende të tjera janë transferuar përsëri në Gaza. Izraeli pretendon se 100 njerëz, ushtarë dhe civilë, u rrëmbyen. Pamjet e xhiruara në qytetin Bury dhe të konfirmuara nga BBC tregojnë se katër civilë janë marrë me forcë nga militantët.
Disa video kanë qarkulluar në internet, që tregojnë izraelitët duke parakaluar, disa prej tyre të plagosur rëndë, nëpër rrugët e Gazës. Mizori të tjera të pakonfirmuara, tepër të ndjeshme për t'u publikuar, u kapën gjithashtu në kamera, duke përfshirë një shofer, që u tërhoq zvarrë nga makina dhe iu pre fyti, si dhe trupat e gjymtuar të civilëve dhe ushtarëve të vdekur.
Përveç synimit të vendbanimeve izraelite, Hamasi sulmoi edhe dy objekte ushtarake: një bazë në Zikim dhe një tjetër në Reim. Pamjet e marra pranë Reimit tregojnë pasojat e sulmit, me disa makina të djegura të shpërndara përgjatë rrugës. Nuk dihet se sa njerëz janë vrarë gjatë këtyre përleshjeve. Mediat sociale të Hamasit shpërndanë vazhdimisht fotografi të ushtarëve izraelitë të vdekur. Nuk janë konfirmuar nëse pamjet janë të vërteta.
Brenda vetëm pak orësh nga fillimi i nisjes së raketave, qindra izraelitë vdiqën. Hamasi dinte të godiste në befasi. Ndihmat nisën të shpërndahen, por miliatëntët ishin akoma në terren, për të penguar këto plane izraelite. Shpejtësia dhe fataliteti i sulmit të befasishëm e habiti Izraelin. Pyetjet se si mund të ndodhë një gjë e tillë do të bëhen me vite.
Një konflikt i përgjakshëm mes Izraelit dhe Palestinës ndodhi tri ditë më parë. Palestina vrau mbi 800 izraelitë, ndërsa Izraeli vrau më shumë se 550 palestinezë./Zëri.ai/