
GAZA- Lideri i “vjetër” i Hamas, Yahya Sinuar sa duket është kthyer në një rrezik për Izraelin. Është një fat, që ai është i lirë. Më 2011, Sinuar u lirua me një dekret të vetë Benjamin Netanyahut, në një shkëmbim të burgosurish, por duket se ‘kapoja’ i Hamasit, ka ruajtur idetë e tij fondamentaliste kundër Izraelit.
Në atë kohë, Sinuar së bashku me 999 të burgosur palestinezë janë shkëmbyer me vetëm një ushtar izraelit të kapur rob nga Hamasi.
Por, kush është Yahya Sinuar?
Yahya Sinuar ka kaluar plot 20 vjet në burgje, i dënuar me katër burgime të përjetshme, duke përfshirë dhe akuza për vrasjen e atyre që i konsideronte bashkëpunëtorë. Sinuar kishte vrarë shumë persona, të cilët besohet se kishin dhënë informacione për armikun.
Ai ishte ndër njerëzit kyç të Hamas, në vitet 1980. Në daljet e tij publike, ai prezantohej si shef suprem në Rripin e Gazës. Sinuar nuk ka shfaqur asnjëherë luks në daljet e tij, gjë që ndodh rëndomtë me liderë të tjerë. Ai lindi 62 vjet më parë, në Khan Younis, shumë pranë zonave ku nisi sulmi i para tre ditëve të Hamas. Mik me të ishte Mohammed Dahlan, i cili do të bëhej një kundërshtar (asnjëherë personal) në luftën midis fraksioneve palestineze.
Hebraishtja që mësoi në burgjet izraelite e lejoi atë t'i shkruante një letër Netanyahut. Analistët politikë shprehen se Yahya Sinuar kishte nisur të bënte dhe disa kompromise të vogla në politikat e tij. Duke alternuar luftën me kompromiset, ai mori dritën jeshile nga Netanyahu për financim nga Katari.
Janë miliona dollarë të dërguara në Rripin e Gazës nga Katari për të zbutur varfërinë në zonë, por paratë nuk dihet nëse kanë shkuar vërtetë për qytetarët. Paratë e Katarit janë përdorur gjithashtu për të forcuar strukturën ushtarake, për të ndërtuar raketa, që synojnë qytetet, për të gërmuar tunelet, ku do të mbaheshin pengjet.
Duket se këto para të Katarit që janë marrë nga udhëheqja e Hamas, kanë bërë që Izraeli të mos bisedojë më drejtpërdrejtë me drejtuesit palestinezë. Së fundmi, qeveria izraelite ka deklaruar se Yayha nuk është gjë tjetër, përpos një i vdekur që ecën. Izraeli është zotuar ta eliminojë fizikisht Yahya Sinuarin, pas ngjarjeve të fundit në Rripin e Gazës.
Izraeli dhe Hamasi u përfshinë në një konflikt të madh me njëri-tjetrin. Hamasi vrau me raketa mbi 800 izraelitë, ndërsa Izraeli vrau mbi 550 palestinezë./Zëri.ai/