
GREQI- Policia në Athinë ka vënë në pranga 6 shtetas romë, me shtetësi shqiptare, dhe një shtetase greke, për shkak të një sherri mes bandave rivale, ku u dëgjuan dhe të shtëna armësh. Ka qënë një telefonatë e banorëve të rrugës Lenorman në Athinë, ajo që vuri në lëvizje policinë, dhe ku u zbulua sherri mes grupeve të ndryshme të romëve, që nisën të godisnin njëri-tjetrin me sende të forta, ndërkohë që u raportuan dhr të shtëna me armë.
Prej verifikimeve u vunë në pranga shtetasit: Lulëzim Zerellari, Arif Ferhati, Ibraim Kallafi, Qibrie Zerellari, Sokol Lato, Maria Lato dhe shtetasja greke Kristina Cakiri. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet, krehër fishekësh të pistolete 9mm, gëzhoja të kalibrit 9mm nga një armë pistoletë e cila nuk u gjet, shuma para kesh prej afro 2000 eurosh si dhe leva, shkopinj dhe thika të përdorura prej grupeve gjatë përleshjes mes tyre.
Policia thotë se në kërkim janë shpallur mbi 20 vetë. Mësohet se përleshja nisi për kontrollin e grupeve që grumbullojnë metale dhe materiale të riciklueshme në koshat e plehrave të Athinës.
Prej kohësh policia dyshon se dy bandat u përleshën pasi përfitimet llogariten në qindra mijë euro në muaj. Nga ngjarje të ngjashme në të kaluarën, kanë humbur jetën disa prej anëtarëve të këtyre bandave. Këto banda përdorin kryesisht të mitur për grumbullimin e materialeve, pasi ligjet greke nuk mund t’i paralizojnë ata, si dhe emigrantë të jashtëligjshëm që jetojnë në baranga ose banesa të vjetra në zonën Eleona të Athinës. Ata do të dërgohen në gjykatë për masë sigurie.