
LEZHË- Zbulohen detaje të tjera lidhur me ngjarjen e ndodhur në Lezhë, ku një 17-vjeçar ka dhunuar me karrige mësuesen e tij të matematikës, Majlinda Palushin. E motra e 17-vjeçarit, në një intervistë të dhënë për emisionin "Me zemër të hapur' ka zbuluar se i vëllai ishte shumë i ndjeshëm dhe nuk e përjetonte mirë emocionalisht sa herë ndokush i përmendte të atin e ndjerë. Sipas saj, mësuesja e gjimnazit të Lezhës, Majlinda Palushi pikërisht këtë kishte bërë duke shkaktuar një reagim të ashpër tek adoleshenti. Ajo ka zbuluar se tani të dy ishin në kujdestarinë e xhaxhait të tyre.
“Mësuesja i bërtiti duke i thënë se do e mbash mend. Vëllai e ka vuajtur dhe e vuan shumë humbjen e babait. Ne jemi në kujdestarinë e xhaxhait. Ka qenë 13 vjeç kur babai humbi jetën. Sot ishte paralajmëruar protestë, por nuk u zhvillua. Nuk na lejuan ta zhvillonim protestën,”-tha ajo.
E teksa e motra fliste "live", shokët e klasës së 17-vjeçarit nxorrën pamje të tjera të mësueses së matematikës që duket se nuk e kishte për herë të parë dhunën psikologjike apo dhe fizike. Në dy video të transmetuara, mësuesja duket teksa e tejkalon masën, një vajzë e dhunon, ndërsa një djalë e nxjerrë nga klasa. Në të njëjtin emision ka folur edhe xhaxhai i 16-vjeçarit, i cili deklaroi se nipi i tij është ndër fëmijët më të rregullt në shkollë, por që është acaruar nga fjalët e mësueses.
“Djali është ndër fëmijët më të rregullt, s’ka asnjë mungesë në shkollë. Por djali është acaruar nga fjalët e mësueses. Djali ka qeshur në orë të mësimit, fillimisht e ka pasur me një nxënës tjetër, më pas iu është kthyer nga djali i vëllait i ka thënë “do të të ngel, kush është ajo familje që të kanë sjellë në jetë ty”. Kemi edhe kamerat që ka kapur vajzën për flokësh. Unë dhe burri i saj kemi bërë një deklaratë dhe jemi pajtuar me të. I ka thënë djalit “për shpirt të babait tim e tëndit, kush është ajo nënë e ai babë që të ka sjellë në jetë ty, kanë sjellë në jetë një majmun”. Me logjikë i thuhet një fëmije, sai punon truri një 16-vjeçari. Jetoj me të dhe kur ia përmend të atit vetëm qan, gjithmonë qan. Vëllai im ka 5 vite që ka ndërruar jetë,”- tha xhaxhai i 16-vjeçarit.
E teksa nxënësi që dhunoi mësuesen është vendosur në pranga, ndaj vetë mësueses nuk është ndërmarrë asnjë masë nga ana e Drejtorisë Arsimore të Lezhës. "Zëri.ai" ka tentuar që të komunikojë me zyrën e Drejtorisë së gjimnazit, por ka qenë e pamundur. Gjithë çfarë dihet deri më tani është se mësimi është bojkotuar, pasi DAR Lezhë ka ngritur një komision hetimor, i cili do të marrë edhe masat e nevojshme.
Aktualisht, mësuesja po trajtohet tek spitali i Traumës në Tiranë pasi ka marrë fraktura të shumta si pasojë e sulmit dhe është kërkuar që ajo të marrë trajtim të specializuar. Ndërsa adoleshenti do të hetohet për kryerjen e veprave penale: “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Goditjet për shkak të detyrës”./Zëri.ai