
TIRANË- Studentët e Mjekësisë vijojnë të bojkotojnë auditorët e universitetit, teksa sot kanë nisur protestën e radhës për të kundërshtuar ligjin që i detyron të punojnë 5 vite në Shqipëri pas përfundimit të studimeve. Të veshur me bluza të bardha dhe me pankarta në duar, studentët janë mbledhur para ambienteve të Universitetit të Mjekësisë së Tiranës, ndërsa paralajmërojnë se nëse qeveria nuk tërhiqet nga ky ligj ata do të vazhdojnë bojkotin.
“Ne nuk mund të na lajmërosh që për 11 vitet ardhshme të jetës sonë dy muaj para. Ne të gjithë këtu e kemi pasur mjekësinë si dëshirën tonë numër 1. Qeveria nuk mund të na lajmërojë 2 muaj para për të gjithë të ardhmen tonë”, tha një student.
“Sa kohë ministria dhe qeveria miratojnë ligje që janë antikushtetues dhe detyrues me natyrë diktatoriale, vendosin për jetën e studentëve pa miratimin e tyre, ne do zgjedhim më mënyrat demokratike për ta kundërshtuar. Sa kohë ata zgjedhin këtë rrugë detyrimi me forcë. Ne duam të rrimë në Shqipëri se duam ne, jo se po na detyron shtetit”, u shpreh një student tjetër.
Që nga nisja e vitit të ri akademik, studentët e mjekësisë nuk kanë marrë pjesë në mësim. Ata kanë kërkuar ballafaqim të drejtpërdrejtë me ministren e Arsimit dhe me zyrtarë të qeverisë për të kundërshtuar ligjin që sipas tyre është i padrejtë.