Aktualitet

Përdhunimi i 26-vjeçares në Vlorë dhe kërcënimi i gazetares, reagon Avokati i Popullit

Avokati i Popullit, dënon ashpër çdo formë që cënon lirinë e shprehjes, të cilën nuk e konsideron një privilegj por një të drejtë themelore

E.K
Përdhunimi i 26-vjeçares në Vlorë dhe kërcënimi
perdhunohet 26 vjecarja ne Vlore

TIRANË- Institucioni i Avokatit të Popullit ka reaguar në lidhje me përdhunimin e 26-vjeçares në qytetin e Vlorës, dhe kërcënimet ndaj gazetarëve që raportuan mbi ngjarjen e rëndë. 

Në reagimin e AP dënohet përdhunimi i vajzës së re, dhe nxiten institucionet që të bëjnë sa më parë zbardhjen e ngjarjes, dhe të vendosen para drejtësisë autorët e përdhunimit.

“Avokati i Popullit, dënon ashpër çdo formë që cënon lirinë e shprehjes, të cilën nuk e konsideron një privilegj por një të drejtë themelore. Sulme të tilla në një shoqëri demokratike janë të pajustifikuara dhe cënojnë ndër të tjera kurajon profesionale për gjurmimin e së vërtetës”, thuhet në njoftimin e AP.

REAGIM I AVOKATIT TË POPULLIT MBI NGJARJEN E RËNDË TË PËRDHUNIMIT NË VLORË

Avokati i Popullit ka përcjellë me shqetësim ngjarjen e ditëve të fundit të ndodhur në qytetin e Vlorës, ku është shënuar rasti i rëndë i përdhunimit të një vajze 26 vjeçare.

Referuar rrethanave të bëra publike në media kjo është një ngjarje shumë e rëndë ndaj së cilës duhet të ketë një reagim të gjerë qytetar dhe reflektim të thellë publik.

Avokati i Popullit i inkurajon organet ligjzbatuese që ta zbardhin me përparësi rastin dhe të ndërmarrin hetime të shpejta dhe sa më efektive për vënien para përgjegjësisë të personave që e shkaktuan këtë ngjarje të dënueshme.

Ndërkohë, sikurse është bërë me dije në opinionin publik, të tjera incidente janë shënuar në lidhje me këtë rast, që përfshijnë përdorimin e dhunës verbale, gjuhës denigruese dhe kërcënimit për jetën drejtuar gazetares Afrovita Hysaj, e cila ka raportuar mbi ngjarjen e rëndë.

Avokati i Popullit, dënon ashpër çdo formë që cënon lirinë e shprehjes, të cilën nuk e konsideron një privilegj por një të drejtë themelore. Sulme të tilla në një shoqëri demokratike janë të pajustifikuara dhe cënojnë ndër të tjera kurajon profesionale për gjurmimin e së vërtetës.

Në sferën e lirisë së shprehjes, Avokati i Popullit është i angazhuar për të siguruar që kjo e drejtë themelore të mbetet e pacënuar, duke i inkurajuar të gjithë profesionistët e medias ta sfidojnë padrejtësinë dhe t’i japin zë mbrojtjes së të vërtetës.

Ngjarja e rëndë ndodhi të shtunën në mbrëmje në qytetin e Vlorës, ku e reja u dërgua mëngjesin e të dielës në spital, për të marrë ndihmë mjekësore, pasi ishte në gjendje shoku si pasojë e konsumimit të lëndëve narkotike, dhe abuzimit seksual. Deri tani për ngjarjen policia e Vlorës ka arrestuar dy persona, ndërkohë që dy të tjerë janë shpallur në kërkim./Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB