
TIRANË- Arrestohet Rajmonda Dashi, ish-drejtoresha e Kadastrës së Durrësit. Prangosja e saj ka ndodhur mëngjesin e sotëm, teksa në zyrat e Kadastrës 'Kamëz Vorë', zbarkuan forca të Policisë së Shtetit dhe hetues të Prokurorisë së Posaçme dhe BKH-së.
Agjentët dhe hetuesit fillimisht shoqëruan ish-drejtoreshën e Kadastrës së Durrësit, e më pas i komunikuan masën e arrestit. Por sipas "OraNews", momenti i shoqërimit ka shkaktuar panik tek punonjësit, pasi mësohet se ishin 3 oficerë të Policisë, 2 meshkuj dhe 1 femër, e kanë tërhequr jashtë ambienteve të institucionit.
Po ashtu, mësohet se Dashit i është sekuestruar telefoni, ndërsa mendohet se ka edhe persona të tjerë të shoqëruar.
Edhe pse nuk ka ende asnjë njoftim zytar që të sqarojë prangosjen e ish-drejtoreshës, në qershor të vitit të shkuar Gjykata caktoi "detyrim paraqitje" për të dhe koleget e saj për falsifikim dokumentash në hipotekën e Tiranës dhe Durrësit. Përveç Dashit, u proceduran penalisht edhe: Thanas Leka, Lediana Bardhi dhe Dario Vasili. Ndaj dhe dyshohet se kjo është çështja që po ndihet nga SPAK dhe BKH. Por ende mundon një njoftim zyrtar lidhur me aksionin e zhvilluar.
Më 15 dhjetor të vitit 2021, Rajmonda Dashi do të jepte dorëheqjen nga drejtimi i Kadastrës së Durrësit dhe në vend do të emërohej, Risena Xhaja. Kur dha dorëheqjen asokohe, Dashi tha se ishte dorëhequr pasi këtë gjë ia kishte kërkuar drejtori i përgjithshëm i Kadastrave, Artan Lame.
/Zëri.ai