Aktualitet

Në orën 10 seanca e radhës për Berishën në GJKKO, avokati mbahet ‘sekret’

Beteja e Berishës në GJKKO, duket se do të shndërrohet në një ‘telenovelë’ të re mes politikës dhe sistemit të drejtësisë

E.K
Në orën 10 seanca e radhës për Berishën në GJKKO,
Sali Berisha ne seline e PD

TIRANË- Në ambientet e GJKKO është thirrur që të mbahet sot një tjetër seancë në ngarkim të ish-kryeministrit Sali Berisha, në orën 10 të paradites së sotme. Seanca e djeshme u shty për shkak të debateve të forta që u zhvilluan, fillimisht me dy avokatët mbrojtës të Berishës, dhe më pas për efektin që shkaktoi caktimi i një avokati të zgjedhur kryesisht nga GJKKO, Artan Simoni, i cili rezultoi që në profilin e tij në Facebook, të kishte sulmuar Berishën, duke e konsideruar në njëfarë mënyre një “bishë që po ngordhte”.

Pikërisht ky postim në rrjetet sociale, dhe reagimet nga kampi opozitar, e madje dhe nga vetë Shkëlzen Berisha bënë që Gjykata e Posaçme të caktonte një tjetër avokat për Berishën, emri i të cilit deri tani nuk është bërë publik.

Atij i është dhënë kohë deri paraditen e sotme që të mund të njihet me dosjen në ngarkim të Berishës, ndërkohë që ish-kryeministri ka zgjedhur që të mos jetë i pranishëm në asnjë prej seancave, pasi masën e sigurisë që është lëshuar ndaj tij e ka quajtur antikushtetuese.

“Me kerkese te Prokurorise, me qellim garantimin e mbrojtjes efektive, Gjykata zevendesoi av Artan Simoni me avokat tjeter nga lista e avokateve kryesisht dhe i la kohe te njihet me aktet. Seanca do te zhvillohet ne daten 26.10.2023 ora 10am”, thuhet në njoftimin e GJKKO mbi seancën që do të mbahet sot.

Avokatët e Berishës Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi, e braktisën dje seancën në GJKKO, pasi nuk u pranua kërkesa e tyre për të zëvendësuar gjykatësen e çështjes dhe kërkesën tjetër për ta cuar për interpretim vendimin në Kushtetuese sa kohë që Berisha pretendon se është shkelur duke mos kërkuar fillimisht autorizimin nga Kuvendi për kufizimin e lirisë së tij.

Mirëpo për GJKKO procesi duhet të vijojë, dhe për këtë në harkun kohor të një dite ka caktuar dy avokatë kryesisht, ose thënë ndryshe të paguar nga shteti për të bërë mbrojtjen e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili akuzohet për korrupsion.

GJKKO ka dhënë masën e sigurisë detyrim paraqitje ndaj tij, si dhe i ndalon largimin jashtë vendit, ndërkohë që në pranga u vu dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi, i cili përveç korrupsionit akuzohet dhe për veprën penale të pastrimit të parave. Të dy ata janë pjesë e hetimeve për privatizimin e ish-kompleksit Partizani, që sipas SPAK është bërë nga Berisha duke shfrytëzuar detyrën si kryeministër për vtë favorizuar dhëndrin e tij, i cili ishte një prej ish-pronarëve të truallit.

Vetë Berisha i ka cilësuar akuzat e SPAK, një goditje që iu bëhet reformave të suksesshme të PD-së mbi pronën dhe privatizimet, dhe ka deklaruar se është gati për të gjitha skenaret, duke nënkuptuar edhe arrestimin e tij. /Zëri.ai

Poll

MOS HUMB