
TIRANË- Që me publikimin e lajmit që ndaj Sali Berishës ishte vendosur një masë sigurie nga SPAK dhe GJKKO, dihej që nuk do të ishte një proces i lehtë, dhe këtë e tregon fare mirë fakti që vetë ish-kryeministri nuk është paraqitur përpara Gjykatës, dhe në harkun kohor të 3 ditëve janë mbajtur po aq seanca dhe janë ndryshuar 5 avokatë.
Që në krye të herës Berisha e cilësoi antikushtetuese masën e dhënë ndaj tij nga GJKKO, e cila një njëfarë mënyre i pengonte lirinë e daljes jashtë vendit, për të cilën sipas tij duhej të merrej më parë aprovim nga Kuvendi, sa kohë që lideri demokrat gëzon imunitetin që i jep mandati i deputetit.
Përplasja e parë nisi që të hënën, kur avokati i zgjedhur nga Berisha, Genc Gjokutaj, u shfaq në seancën në ngarkim të Jamarbër Malltezit dhe ndërtuesit Fatmir Bektashi. GJKKO kërkoi që ai të dilte nga salla, pasi nuk mund të trajtohej si palë në proces, për shkak se seanca për Berishën ishte caktuar të martën.
Dhe pikërisht të martën, një tjetër seancë u shty, pasi Genc Gjokutaj kërkoi që të përjashtohej gjyqtarja e çështjes Irena Gjoka, dhe mori kohë që të njihej me dosjen. Të mërkurën, bashkë me Gjokutajn, u shfaq në seancën e GJKKO dhe avokati tjetër i zgjedhur nga ish kryeministri Sali Berisha, Sokol Mëngjesi.
Në seancën që u mbajt në orën 14:00 avokatët e Berishës fillimisht debatuan me gjyqtaren e çështjes dhe më pas braktistën sallën. Kjo pasi u rrëzuan kërkesat e tyre për përjashtimin e gjyqtares së çështjes, si dhe dërgimin e rastit Berisha në Kushtetuese.
Më pas GJKKO caktoi Artan Simonin si avokat të Berishës, të cilin e hoqi sërish, pasi rezultoi se kishte sulmuar ish-kryeministrin në rrjetet sociale. Ai e quante Berishën një bishë të plakur, gjë që solli një sërë reagimesh nga kampi opozitar. Kjo detyroi GJKKO të shtynte për këtë të enjte seancën, dhe për një process të drejtë vendosi zëvendësimin e Simonit, jo me një por me dy avokate të paguara nga shteti.
Emrat e tyre nuk u bënë publik deri në nisjen e seancës së sotme, ku u zbulua se GJKKO kishte caktuar dy avokate kryesisht për të mbrojtur Sali Berishën për akuzat e korrupsionit, të cilat janë Jalldiz Kastrati dhe Rabije Cenalia. Në një kërkim të shpejtë të bërë nga Zëri.ai rezulton se Kastrati ka qenë kandidate për deputete nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Berisha edhe në seancën e sotme ka zgjedhur që të mos shkojë në GJKKO, ndërkohë që procesi ndaj tij rrezikon që të kthehet në një lojë ping pongu mes politikës dhe drejtësisë./Zëri.ai