
RUSI- Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka paralajmëruar Perëndimin për rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit në Ukrainë, duke theksuar se shqyrtimi i mundësisë që Ukrainës t’i lejohet të sulmojë thellë brenda territorit rus me raketa perëndimore është një lojë e rrezikshme me zjarrin. Deklaratat e Lavrovit vijnë në një moment kritik, pas sulmit të madh që Ukraina ndërmori më 6 gusht në rajonin perëndimor të Rusisë, Kursk, sulmi më i madh që nga Lufta e Dytë Botërore.
Lavrov, i cili ka shërbyer si ministër i Jashtëm i Rusisë për më shumë se dy dekada, theksoi se Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të vetëdijshme se një Luftë e Tretë Botërore nuk do të kufizohej vetëm në Evropë. Ai akuzoi Perëndimin për përpjekje për të përshkallëzuar luftën duke i dhënë Ukrainës mundësinë për të përdorur armët e furnizuara nga jashtë pa kufizime, çka, sipas tij, është një "kërkim telashesh".
Në të njëjtën kohë, Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar një përgjigje të denjë ndaj sulmeve të fundit në Kursk, duke ripërsëritur kërcënimet e tij për rrezikun e një konflikti më të gjerë që mund të përfshijë fuqitë më të mëdha bërthamore në botë. Putin ka bërë të qartë se megjithëse Rusia nuk dëshiron një përplasje me aleancën e NATO-s, por është përgatitur për çdo skenar.
Lavrov, në një deklaratë për gazetarët në Moskë, krahasoi veprimet e Perëndimit me fëmijët e vegjël që luajnë me shkrepëse, duke paralajmëruar për pasojat e rënda që mund të sjellë një veprim i tillë. “Amerikanët i lidhin pa mëdyshje bisedat për Luftën e Tretë Botërore si diçka që, Zoti na ruajt, nëse ndodh, do të prekë ekskluzivisht Evropën. Por nuk është kështu,” shtoi Lavrov, duke theksuar se një konflikt global nuk do të kursente asnjë kontinent./ ZËRI