
KOSOVË- Nëntë muaj nga nga ngjarja që tronditi opinionin publik, ku Liridona Ademaj u vra nga bashkëshorti i saj Naim Murseli ende nuk ka një vendim për të dhe bashkëpunëtorët e tij. Naim Murseli dhe dy persona të tjerë, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava të cilët janë të akuzuar për vrasje dhe bashkëpunim në vrasje, do të vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim edhe për dy muaj të tjerë.
Gjykata Themelore e Prishtinës ka marrë vendimin që tre autorët e dyshuar të vrasjes së Liridona Ademajt, të qëndrojnë në qeli deri në datën 25 tetor.
“Ju informoj se të pandehurve N.M, G.P dhe K.K iu është vazhduar masa e paraburgimit për dy muaj me Aktvendimin e datës 23.08.2024, e cila masë do t’iu llogaritet nga data 26.08.2024 deri me datë 25.10.2024, nën kushtet ligjore të parapara në KPPK.”- thuhet në përgjigjen e gjykatës.
Si ndodhi ngjarja
Krimi i rëndë ndodhi mbrëmjen e 29 nëntorit, rreth orës 20:26, në rrugën “Dalip Alshiq”, në Prishtinë. Rasti fillimisht u raportua si grabitje, por pas 48 orëve u zbulua se urdhri për ekzekutimin e të resë ishte dhënë nga vetë bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli. Ai e ka paguar Granit Plavën 30 mijë euro për vrasjen e gruas së tij. 15 mijë ia kishte dhënë para vrasjes, dhe 15 të tjera do ia jepte në përfundim të krimit. Plava e ka pranuar fajësinë për vrasjen e 30-vjeçares, duke thënë se Naim Murseli e kishte porositur. Në pranga ka rënë dhe Kushtrim Kokalla, i afërm i Murselit që akuzohet si bashkëpunëtor në krim./ZËRI