
GAZA - Izraeli dhe Hamasi duket se janë në prag të një tjetër konflikti, pas një sulmi të befasishëm të shtunën që përfshinte operacione ajrore, detare dhe tokësore, të iniciuara nga grupi palestinez në Rripin e Gazës. Izraeli u përgjigj me një bombardim të rëndë të enklavës bregdetare, e cila është e bllokuar.
Çfarë ndodhi dhe kur?
Grupi i armatosur palestinez Hamas ka nisur Operacionin “Al-Aksa Flood" kundër Izraelit në konfliktin më serioz, që kur Izraeli dhe Hamasi zhvilluan një luftë 11-ditore në 2021.
Hamasi tha se kishte lëshuar 5 000 raketa, ndërsa Izraeli konfirmoi se luftëtarët e grupit kishin hyrë në territorin izraelit. Daniel Hagari, një zëdhënës i ushtrisë izraelite, tha se grupi HAMAS sulmoi nga toka, deti dhe ajri.
Raketat e para u lëshuan në orën 06:30 të mëngjesit me orën lokale. Ushtria izraelite tha gjithashtu se nisi operacionin “Shpata të Hekurta" kundër grupit të Hamasit në Rripin e Gazës. Sulmet nisën herët në mëngjes, gjatë ditës së sotme, kur izraelitët po festonin festën e Simchat Torah, një festë e cila shënohet në përfundim të festivalit një javor hebre, i njohur si Sukkot.
Ku ndodhën sulmet?
Raketat u hodhën deri në Tel Aviv. Hamasi dërgoi gjithashtu luftëtarë në Izraelin jugor. Mediat izraelite thanë se persona të armatosur kishin hapur zjarr ndaj kalimtarëve në qytetin Sderot dhe pamjet që qarkullonin në mediat sociale tregonin përleshje në rrugët e qytetit. Një raport pretendonte se luftëtarët e Hamasit kishin marrë kontrollin e qendrave të shumta të popullsisë civile izraelite, ku banorët po luteshin për ndihmë nga qeveria e tyre.
Ushtria izraelite thotë se dhjetëra avionë luftarakë po kryejnë sulme ndaj objektivave të Hamasit në Rripin e Gazës. Aktualisht, betejat me armë po zhvillohen rreth qyteteve Kfar Aza, Sderot, Sufa, Nahal Oz, Magen, Be'eri dhe bazën ushtarake Re'im, raportoi Times of Israel.
Sa viktima janë nga ana e Izraelit dhe sa nga ana e Palestinës?
Të paktën 22 izraelitë janë vrarë, thanë mediat lokale, duke cituar shërbimet e urgjencës. Më shumë se 500 izraelitë janë plagosur, citon Reuters të ketë thënë Ministria e Shëndetësisë e vendit.
Të paktën katër palestinezë janë vrarë dhe pesë janë plagosur në konfrontimet mes ushtrisë izraelite dhe grupeve palestineze në zonën kufitare të Rripit të Gazës.
Pse Hamasi sulmoi Izraelin?
Zëdhënësi i Hamasit Khaled Qadomi i ka thënë Al Jazeera-s se operacioni ushtarak i grupit është në përgjigje të të gjitha mizorive, me të cilat janë përballur palestinezët gjatë dekadave. “Ne duam që komuniteti ndërkombëtar të ndalojë mizoritë në Gaza, që zhvillohen kundër popullit palestinez, vendeve tona të shenjta si Al-Aksa. Të gjitha këto janë arsyet për fillimin e kësaj beteje”, tha ai.
"Kjo është dita e betejës më të madhe, për t'i dhënë fund pushtimit të fundit në tokë," tha Mohammed Deif, komandanti ushtarak i Hamasit. Ai shtoi se HAMAS ka lëshuar sot 5000 raketa. “Të gjithë ata që kanë një armë duhet të luftojnë. Sot është dita për ta bërë këtë gjë”, tha Deif.
Hamasi u bëri thirrje "luftëtarëve të rezistencës në Bregun Perëndimor" si dhe "kombeve arabe dhe islamike" që t'i bashkohen betejës. Kjo thirrje u postua në Telegram.
Çfarë thotë qeveria izraelite?
Ushtria izraelite paralajmëroi hebrenjtë, që jetojnë pranë Gazës të qëndrojnë në shtëpitë e tyre ose të shkojnë në vende të sigurta. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se vendi i tij është në një luftë që "do ta fitojë". Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant tha se Izraeli "do ta fitojë këtë luftë". Ai tha se Hamasi kishte bërë një “gabim të rëndë këtë mëngjes dhe kishte nisur një luftë kundër shtetit të Izraelit”.
Çfarë po ndodh në terren?
Ushtria izraelite po lufton luftëtarët e Hamasit në shtatë vendndodhje në jug të Izraelit, pranë kufirit me Rripin e Gazës, raporton Times of Israel. Kabineti izraelit pritet të mbajë një mbledhje në selinë e Ministrisë së Mbrojtjes. Ministria e Shëndetësisë në Gaza ka bërë thirrje për dhurim gjaku në spitalet që ndodhen në enklavën e rrethuar.
Cilat janë reagimet ndërkombëtare deri tani?
Qeveria çeke e ka dënuar Hamasin për fillimin e “sulmeve terroriste” ndaj aleatit tradicional të Pragës, Izraelit. Shefi i Punëve të Jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, shprehu solidaritet me Izraelin.
Ministria e Jashtme franceze tha se Franca dënon "sulmet terroriste që po ndodhin kundër Izraelit dhe popullsisë së tij" dhe se Franca shpreh solidaritetin e saj të plotë me Izraelin. Mbretëria e Bashkuar tha se "dënon pa mëdyshje" një sulm të befasishëm nga grupi islamik palestinez Hamas ndaj Izraelit.
Egjipti u shpreh se mund të ketë "pasoja të rënda" në rast se situata përshkallëzohet. Shteti egjiptian bëri thirrje për "shmangien e ekspozimit të civilëve ndaj rrezikut ".
Grupi libanez Hezbollah lëshoi një deklaratë të shtunën duke thënë se po ndiqte nga afër situatën në Gaza dhe ishte në "kontakt të drejtpërdrejtë me udhëheqjen e rezistencës palestineze"./Zëri.ai/