Bota

Palestinezët marrin nën kontroll tanket e ushtrisë izraelite

Ndërsa kreyministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se Izraeli "do hakmerret", një komandant i HAMAS deklaroi se palestinezët duhet të luftojnë

D.XH
Palestinezët marrin nën kontroll tanket e ushtrisë izraelite
Foto nga sulmi i Hamas ndaj ushtarëve izraelitë

GAZA – Izraeli ka deklaruar gjatë ditës së sotme se është "në luftë", pasi dhjetëra persona të armatosur nga grupi militant palestinez Hamas goditën në Gaza forcat izraelite, në një sulm të paprecedentë, që ka lënë së paku 22 izraelitë të vdekur.

Militantët kaluan kufirin herët në mëngjes, ndërsa breshëri raketash u lëshuan mbi Gaza-n.

Nga sulmi me raketa, përpos të vrarëve, ka dhe të plagosur. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është zotuar se Hamasi do të "paguajë për atë që ka bërë”.

Ushtria izraelite ka thënë se dhjetëra avionë luftarakë po kryejnë sulme ajrore në vendet e kontrolluara nga Hamasi në Gaza dhe se ka mobilizuar dhjetëra e mijëra ushtarë rezervistë. Të paktën një palestinez është vrarë nga sulmet.

Breshëritë e raketave në Gaza, e cila qeveriset nga Hamasi,  filluan menjëherë pas mëngjesit të së shtunës. Sirenat u dëgjuan në të gjithë Izraelin, ndërsa autoritetet kanë thënë se “terroristët janë infiltruar në të gjithë territorin izraelit”. Sipas mediave të huaja, autorë të sulmit kanë qenë një grup militantësh palestinezë të armatosur rëndë, të veshur me rroba të zeza. Militantë kanë shkëmbyer zjarr me forcat izraelite në rrugë, në një zonë, që është vetëm 1.6 km (1 milje) nga Gaza.

Ka gjithashtu raportime të pakonfirmuara në mediat palestineze se një numër izraelitësh janë kapur rob nga militantët dhe po ashtu militantët kanë marrë automjete të ushtrisë izrtaelite.

 

Këshilli Rajonal Shaar HaNegev njoftoi se udhëheqësi i tyre, Ofir Liebstein, u vra në një shkëmbim zjarri me militantët, kur ai shkoi të mbronte qytetarët. Breshëritë me raketa ndërkohë vazhduan gjatë gjithë mëngjesit të së shtunës. Mediat izraelite raportuan se më shumë se 2 500 predha ishin lëshuar deri tani drejt Izraelit.

Më vonë, një spital në qytetin jugor të Ashkelon tha se po trajtonte 68 persona që kishin marrë plagë nga sulmi, ndërsa një spital tjetër në Beer Sheva raportoi 80 pacientë të tjerë. “Qytetarë të Izraelit ne jemi në luftë, jo në një operacion, jo në një përshkallëzim, por në një luftë”, tha kryeministri Netanyahu në një deklaratë. "Këtë mëngjes Hamasi filloi një sulm të papritur vrastar kundër shtetit të Izraelit dhe qytetarëve të tij."

“Mblodha krerët e sistemit të sigurisë, para së gjithash porosita që të pastrohen vendbanimet nga terroristët. Në të njëjtën kohë, urdhërova një mobilizim të gjerë rezervistësh dhe një luftë hakmarrëse, me një forcë dhe shtrirje që armiku nuk e ka njohur kurrë”, tha Netanyahu. Ndërsa një komandant i Hamas, iu ka bërë thirrje palestinezëve që të luftojnë./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB