
BRITANI- Prej ditësh kanë shpërthyer protesta të dhunshme kundër emigracionit në Britani, si pasojë e vdekjes së tre vajzave që u vranë me thikë në një sulm në shkollë. Policia arrestoi 90 persona, të cilët hodhën shishe dhe plaçkitën dyqane dhe sulmuan policinë. Zonat me demonstrata më të dhunshme janë shënuar në Liverpool, Bristol, Blackpool dhe Belfast, ku qytetarët po organizojnë protesta kundër emigrantëve dhe muslimanëve.
Kryeministri Keir Starmer është zotuar t'u japë forcave policore "mbështetje të plotë" të qeverisë për të ndërmarrë veprime kundër "ekstremistëve" që po përpiqen të "mbjellin urrejtje".
Sipas BBC, trazirat, më të përhapurat në vend në 13 vjet, shpërthyen pasi tre vajza u vranë në një sulm me thikë në një shkollë kërcimi në Anglinë veriperëndimore dhe më pas u qarkulluan informacione të rreme në mediat sociale se i dyshuari për krimin ishte ekstremist musliman, i cili ishte ilegalisht në Britaninë e Madhe. Policia ka rrëzuar pretendimet duke njoftuar se i dyshuari për sulmin është Axel Rudakubana, 17 vjeç dhe ka lindur në Britani, por protestat e protestuesve anti-emigrantë dhe anti-muslimanë kanë vazhduar dhe janë përshkallëzuar në incidente të dhunshme.
Shumë oficerë policie u plagosën ndërsa u përpoqën të parandalonin përleshjet midis qindra protestuesve që i përkisnin palëve kundërshtare./ZËRI/