SERBI- Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka reaguar sërish për debatin që ka shkaktuar deklarata e tij mbi mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër. Në një prononcim për RTS, kreu i shtetit serb e ka cilësuar çështjen si një vendimmarrje të brendshme të Serbisë, duke vënë në pikëpyetje përfshirjen e Shqipërisë në këtë debat.
Vuçiç ka komentuar edhe reagimin e Tiranës, e cila i është drejtuar Brukselit pas deklaratave për lumin Ibër dhe njoftimit për ngritjen e një grupi pune. Presidenti serb ka lidhur këtë reagim me zhvillimet politike dhe situatën e komunitetit serb në Kosovë, duke hedhur akuza ndaj institucioneve shqiptare dhe ndërkombëtare.
Sipas Vuçiç, institucionet në Kosovë, në bashkëpunim me faktorë ndërkombëtarë, po ndërmarrin veprime që, sipas tij, synojnë dobësimin e strukturave serbe në Kosovë. Ai ka përmendur në këtë kuadër arrestime, prishje banesash dhe raste dhune ndaj serbëve.
“Nuk e di se çfarë lidhjeje ka Ibri me Shqipërinë. Kemi një problem diku rreth Ribarić-it, le të shohim, le të shohim për çfarë bëhet fjalë, dhe pastaj do të shohim”, tha presidenti Vuçiç më tej.
Në deklaratën e tij, Vuçiç ka komentuar edhe zhvillimet e fundit të sigurisë në Kosovë. Ai iu referua deklaratës së KFOR-it për përmirësimin e situatës së sigurisë dhe foli për integrimin e Policisë së Kosovës në strukturat përkatëse pranë Visoki Deçanit.
Presidenti serb ka bërë të ditur gjithashtu se do të zhvillojë një bisedë me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Milan Mojsiloviç, pasi më herët kishte komunikuar me komandantin e KFOR-it lidhur me situatën dhe zhvillimet rreth urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
“Kjo është arsyeja pse ndërhyrja jonë pasoi, në mënyrë që diçka e tillë të mos lejohet. Asnjë nga këto nuk është e papritur për mua. Mos harroni: 19 vende të NATO-s na bombarduan në vitin 1999, me një qëllim të vetëm, të na e merrnin Kosovën dhe Metohinë. Ata duhet ta përfundojnë lojën e tyre dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë. Varet nga ne të jemi të duruar, të jemi mjaftueshëm të zgjuar, të jemi mjaftueshëm të përgjegjshëm, të mos nxitohemi me kokëfortësi drejt luleshtrydheve, jo sepse kemi frikë nga askush. Siç mund ta shihni, unë nuk kam frikë prej tyre dhe mendoj më të keqen për veprimin e përbashkët të Prishtinës, me të gjithë faktorët ndërkombëtarë kundër popullit serb. Më të keqen”, tha presidenti Vuçiç./ZËRI