Bota

Përplasje për emigrantët/ Spanja vendos kontrolle kufitare ndaj udhëtarëve nga Italia

Vendimi vjen rreth një javë pasi Roma vendosi kontrolle të ngjashme për personat që mbërrijnë nga Spanja.

M.K.
Përplasje për emigrantët/ Spanja vendos kontrolle kufitare ndaj
foto

SPANJË- Tensionet mes Spanjës dhe Italisë për menaxhimin e fluksit të emigrantëve kanë marrë një tjetër përmasë. Madridi ka rikthyer kontrollet kufitare për udhëtarët që mbërrijnë nga Italia, përmes linjave ajrore dhe detare.

Masa ka hyrë në fuqi dhe do të jetë aktive për një muaj, deri më 7 shtator. Gjatë kësaj periudhe, autoritetet spanjolle do të verifikojnë pasaportat, shtetësinë dhe dokumentet e vizave të personave që hyjnë në territor nga Italia.

Vendimi vjen rreth një javë pasi Roma vendosi kontrolle të ngjashme për personat që mbërrijnë nga Spanja. Italia e justifikoi masën me shqetësimet për një lëvizje të mundshme të emigrantëve drejt territorit të saj, pas fluksit të madh në enklavën spanjolle të Ceutës.

Madridi e ka kundërshtuar këtë argument, duke e cilësuar si të pabazuar. Ndërkohë, qeveria italiane ka refuzuar kërkesën e Spanjës për heqjen e kontrolleve, duke deklaruar se nuk pranon “ultimatume” dhe se masat do të vazhdojnë për sa kohë të mbeten shqetësimet për sigurinë.

Përplasja politike ka vendosur përballë kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez dhe kryeministren italiane Giorgia Meloni, duke shtuar tensionet brenda Bashkimit Evropian për mënyrën e trajtimit të migracionit.

Në qendër të situatës është Ceuta, ku javën e kaluar dhjetëra mijëra emigrantë u përpoqën të hynin nga Maroku. Shumica e tyre u kthyen në ditët në vijim, ndërsa raportohet se rreth 100 persona humbën jetën gjatë përpjekjeve për të kaluar kufirin.

Aktualisht, rreth 1,400 të mitur ndodhen në Ceuta, disa prej tyre “djem dhe vajza shumë të vegjël”, ndodhen ende atje.

Autoritetet spanjolle po monitorojnë gjithashtu aktivitetin në rrjetet sociale, ku janë shfaqur thirrje për një tjetër kalim masiv të emigrantëve në mesin e gushtit. Deri tani, Madridi nuk ka konfirmuar se pret një valë të re migratore, ndërsa zyra e kryeministrit Sanchez ka deklaruar se situata po ndiqet nga afër dhe se nuk pritet përsëritja e skenave të javës së kaluar.

Përplasja e fundit rikthen vëmendjen te Ceuta dhe Melilla, dy enklava spanjolle në Afrikën e Veriut, të cilat prej vitesh kanë qenë në qendër të tensioneve dhe mosmarrëveshjeve diplomatike mes Spanjës dhe Marokut./ZËRI

Poll

MOS HUMB