KOSOVË- Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit dhe incidentit ku u godit me vezë.
Sa i përket incidentit në Kuvend, Kurti deklaroi se është i gatshëm të përballet edhe me veprime të tilla, nëse ato do të shërbejnë për arritjen e një marrëveshjeje politike.
“Vazhdimi i seancës përcaktohet nga kryesuesi i seancës e cila ka filluar, por përfundon atëherë kur të zgjidhet kryetari dhe 5 nënkryetarët. Edhe nëse bëhen aksione të tilla kundër meje, unë nuk jam këtu për veten time, jam për Kosovën, kërkojnë të ulemi bashkë dhe për Kosovën të bëjmë marrëveshje. Nëse gjuajta me vezë dhe goditja e pantallonave të kryeministrit, është çmimi që unë duhet të paguajë në mënyrë që ata të ulen e të bisedojmë, jam i lumtur ta paguaj. Vetëm të vijnë në takim. Unë nuk ankohem që ata hedhin vezë, unë ankohem që ata s’duan të takohen”, tha Kurti.
Duke folur për mediat, Kurti tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk propozoi kandidat për kryetar të Kuvendit, pasi sipas tij, pa një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, çdo emër do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të reja.
“Nuk propozuam emër, sepse çfarëdo emri pa marrëveshje për president, do të na shpinte te zgjedhjet e reja, të përsëritura, të parakohshme, të panevojshme dhe të dëmshme”, deklaroi Kurti.
Në nisje të seancës së konstituimit në Kuvendin e Kosovës, kryeministri Albin Kurti u godit me vezë nga deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, në kohën kur po fliste në foltore.
Kadriaj sulmoi Kurtin me vezë, pas deklaratave të këtij të fundit për nevojën e kohës shtesë për përfundimin e procesit të konstituimit të Kuvendit./ZËRI