KOSOVË- Ekonomia e Kosovës po importon mallra me ritëm gjithnjë e më të lartë. Brenda rreth pesë vjetësh e gjysmë, nga fillimi i vitit 2021 deri në fund të muajit maj 2026, vlera e mallrave të importuara ka kaluar shifrën prej 32 miliardë eurosh.
Të dhënat zyrtare të Doganës së Kosovës tregojnë se vetëm gjatë pesë muajve të parë të vitit 2026, vendi importoi mallra në vlerë prej 2.92 miliardë eurosh. Kjo shumë është rreth 150 milionë euro më e lartë se në të njëjtën periudhë të vitit paraprak dhe mbi gjysmë miliard euro më e lartë krahasuar me 5-mujorin e vitit 2024.
Nëse këtij 5-mujori i shtohen importet e regjistruara gjatë viteve 2021–2025, të cilat arrijnë në rreth 29.35 miliardë euro, rezulton se në më pak se gjashtë vjet, ekonomia e Kosovës ka shpenzuar mbi 32 miliardë euro për blerjen e mallrave nga jashtë.
Këto shifra tregojnë përmasa gjithnjë e më të mëdha të tregtisë importuese, por edhe faktin se pjesa më e madhe e konsumit në Kosovë vazhdon të mbështetet në produkte të prodhuara jashtë vendit.
Rekord pas rekordi në importe
Analiza e të dhënave vjetore të Doganës së Kosovës tregon rritje të pandërprerë të importeve gjatë gjithë periudhës së analizuar.
Në vitin 2021, Kosova importoi mallra në vlerë prej rreth 4.65 miliardë eurosh.
Një vit më vonë, importet u rritën në 5.60 miliardë euro, duke shënuar zgjerimin më të madh vjetor të kësaj periudhe. Brenda vetëm një viti, fatura e importeve u rrit me afro 954 milionë euro, ose 20.5%, rritje që lidhej me rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë, rritjen e çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe zgjerimin e konsumit të brendshëm.
Pas këtij kërcimi të fortë, ritmi u ngadalësua në vitin 2023,, kur importet arritën në 5.77 miliardë euro. Rritja ishte rreth 164 milionë euro, ose 2.9%, norma më e ulët e regjistruar gjatë viteve të fundit.
Megjithatë, ngadalësimi rezultoi i përkohshëm.
Në vitin 2024, importet u rritën përsëri në 6.33 miliardë euro, duke u zgjeruar me rreth 561 milionë euro krahasuar me vitin paraprak.
Ndërsa viti 2025 solli një tjetër rekord historik. Për herë të parë, vlera e mallrave të importuara kaloi pragun e 7 miliardë eurove, duke arritur në rreth 7.0 miliardë euro.
Krahasuar me vitin 2024, importet u rritën me mbi 672 milionë euro, duke e bërë vitin 2025 periudhën me nivelin më të lartë të importeve të regjistruar ndonjëherë në Kosovë.
Në tërësi, gjatë periudhës 2021–2025, importet janë zgjeruar me rreth 50.6%, ndërsa norma mesatare vjetore e rritjes ka qenë 10.8%.
Praktikisht, çdo vit ka sjellë më shumë mallra të importuara dhe një faturë financiare gjithnjë e më të lartë për ekonominë kosovare.
Tendenca vazhdon edhe në vitin 2026
Shifrat e 5-mujorit të parë të këtij viti tregojnë se dinamika nuk ka ndryshuar.
Nga janari deri në fund të majit 2026, importet kanë arritur në 2.92 miliardë euro.
Nëse ritmi aktual ruhet edhe në muajt e mbetur të vitit, importet pritet të mbeten pranë rekordit të vendosur gjatë vitit 2025.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, importet janë rritur me rreth 150 milionë euro, ndërsa në raport me 5-mujorin e vitit 2024, zgjerimi kalon 500 milionë euro.
Rritja e vazhdueshme e importeve ka ardhur paralelisht me zgjerimin e konsumit të brendshëm dhe me rritjen e kërkesës për produkte të huaja, ndërkohë që prodhimi vendor nuk ka arritur të ndjekë të njëjtin ritëm.
Një pjesë e konsiderueshme e kësaj fature lidhet me importin e derivateve të naftës, energjisë elektrike, makinerive, pajisjeve industriale, automjeteve, materialeve ndërtimore dhe produkteve ushqimore, kategori që prej vitesh dominojnë strukturën e importeve të Kosovës.
Edhe pse eksportet kanë shënuar rritje në disa sektorë gjatë viteve të fundit, ritmi i tyre ka mbetur dukshëm më i ulët sesa ai i importeve.
Deficiti tregtar vazhdon të zgjerohet
Rritja e importeve është shoqëruar edhe me zgjerimin e vazhdueshëm të deficitit tregtar, pasi eksportet nuk kanë arritur të ndjekin të njëjtin ritëm.
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, vetëm gjatë periudhës janar–maj 2026, vendi eksportoi mallra me vlerë rreth 969 milionë euro më pak sesa importoi. Deficiti tregtar arriti në 1.95 miliardë euro, nga 1.88 miliardë euro në të njëjtën periudhë të vitit 2025, duke u zgjeruar për 77.8 milionë euro, ose 4.1%.
Ky trend nuk është i ri. Për vite me radhë, ekonomia e Kosovës ka mbetur importuese neto, ndërsa prodhimi vendas nuk ka arritur të zëvendësojë mallrat që vijnë nga jashtë apo të rrisë eksportet në të njëjtën masë.
Raporti “Statistikat e Tregtisë së Jashtme të Kosovës – Marrëdhëniet tregtare sipas shteteve”, i publikuar nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe i bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, tregon qartë përmasat e këtij hendeku.
Vetëm gjatë vitit 2025, Kosova importoi mallra në vlerë prej 7 miliardë e 48.3 milionë eurosh, ndërsa eksportet arritën në vetëm 942.1 milionë euro.
Si rezultat, deficiti tregtar u ngjit në rreth 6.1 miliardë euro, niveli më i lartë i regjistruar deri më tani.
Praktikisht, për çdo euro që ekonomia e Kosovës fitoi nga eksportet, u shpenzuan rreth 7.5 euro për blerjen e mallrave nga jashtë. Krahasimi me vitet e mëparshme tregon se hendeku është zgjeruar vazhdimisht.
Në vitin 2022, importet ishin 5.64 miliardë euro, ndërsa deficiti tregtar arrinte në 4.64 miliardë euro. Brenda vetëm tre vjetësh, importet janë rritur për më shumë se 1.4 miliardë euro, ndërsa deficiti tregtar është zgjeruar me afro 1.46 miliardë euro, ose rreth 32%.
Të dhënat tregojnë se, ndonëse eksportet kanë shënuar rritje në disa sektorë, ritmi i tyre ka mbetur dukshëm më i ulët se ai i importeve, duke bërë që bilanci tregtar të përkeqësohet nga viti në vit.
Gjermania, Kina dhe Turqia mbeten furnizuesit kryesorë
Struktura e importeve sipas vendeve të origjinës nuk ka pësuar ndryshime të mëdha në vitet e fundit. Gjermania vazhdon të jetë partneri kryesor tregtar në importe, e ndjekur nga Kina dhe Turqia.
Në 5-mujorin e parë të vitit 2026, Kosova importoi mallra nga Gjermania në vlerë prej 314.8 milionë eurosh, nga Kina 306 milionë euro, ndërsa nga Turqia, 261 milionë euro.
Së bashku, këto tri shtete përbënin rreth 38.7% të importeve totale të Kosovës.
Ndër zhvillimet më të dukshme ishte rritja e importeve nga Kina, të cilat u zgjeruan me rreth 49.6 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak.
Në anën tjetër, importet nga Maqedonia e Veriut shënuan rënie prej 33.6 milionë eurosh, ndërsa ato nga Turqia ranë me 30.7 milionë euro në krahasim me 5-mujorin e vitit 2025.
Pjesën më të madhe të importeve vazhdojnë ta zënë derivatet e naftës, energjia elektrike, makineritë, pajisjet industriale, automjetet, materialet ndërtimore dhe produktet ushqimore, kategori që dominojnë prej vitesh strukturën e tregtisë së jashtme të Kosovës.
Ndër partnerët kryesorë ekonomikë të Kosovës, Italia vazhdon të zërë një vend të rëndësishëm, por shkëmbimet tregtare mbeten dukshëm në favor të importeve.
Sipas raportit të Odës Ekonomike të Kosovës, gjatë vitit 2025, Kosova importoi mallra nga Italia në vlerë prej 369.4 milionë eurosh, ndërsa eksportoi vetëm 28.9 milionë euro.
Si rezultat, deficiti tregtar me Italinë arriti në 340.5 milionë euro, rreth 16% më i lartë se një vit më parë.
Raporti evidenton se eksportet drejt Italisë ranë me 22.7%, ndërsa importet u rritën me 11.6%, duke bërë që shkalla e mbulimit të importeve me eksporte të bjerë në vetëm 7.8%, niveli më i ulët i katër viteve të fundit.
Edhe importet nga Serbia kanë shënuar rritje
Pavarësisht ndryshimeve politike dhe masave tregtare të viteve të fundit, Serbia vazhdon të mbetet një prej furnizuesve të rëndësishëm të tregut kosovar.
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, gjatë periudhës janar–qershor 2026 janë importuar mallra nga Serbia në vlerë prej 112.3 milionë eurosh, krahasuar me 110.5 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Të dhënat historike tregojnë se nga viti 2021 deri në fund të vitit 2025, importet nga Serbia kanë arritur në rreth 1.2 miliardë euro, duke dëshmuar se, pavarësisht zhvillimeve politike, mallrat serbe vazhdojnë të jenë të pranishme në tregun kosovar.
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se Serbia nuk renditet më ndër partnerët kryesorë importues të Kosovës dhe se rritja e këtij viti lidhet kryesisht me importin e materialeve ndërtimore.
Sipas saj, në tërësi konsumi i mallrave serbe nuk ka shënuar rritje të konsiderueshme.
Tregtia me vendet e CEFTA-s mbetet në deficit
Edhe në tregtinë me vendet e CEFTA-s, Kosova vazhdon të importojë dukshëm më shumë mallra sesa eksporton. Të dhënat për periudhën janar–qershor 2026 tregojnë se importet nga vendet anëtare të kësaj marrëveshjeje arritën në 317.8 milionë euro, ndërsa eksportet në 203.9 milionë euro. Si rezultat, deficiti tregtar me CEFTA-n u ngjit në rreth 113.9 milionë euro.
Kjo do të thotë se për çdo 100 euro mallra të eksportuara në tregjet e CEFTA-s, Kosova importoi rreth 156 euro produkte, duke konfirmuar se vendi vazhdon të mbetet importues neto edhe në shkëmbimet tregtare me rajonin.
Të dhënat mujore tregojnë zgjerim të vazhdueshëm të importeve. Në janar ato ishin rreth 27 milionë euro, ndërsa në qershor arritën në 68.7 milionë euro, ose më shumë se dyfish krahasuar me fillimin e vitit.
Eksportet gjithashtu u rritën gjatë kësaj periudhe, nga 22.7 milionë euro në janar në 38.1 milionë euro në qershor, por ritmi i tyre mbeti më i ulët se ai i importeve.
Si pasojë, edhe deficiti tregtar u zgjerua gradualisht. Nga 4.3 milionë euro në janar, ai arriti në 30.6 milionë euro në qershor, niveli më i lartë i regjistruar në 6-mujor.
Brenda CEFTA-s, Maqedonia e Veriut mbetet partneri kryesor importues i Kosovës me 104.3 milionë euro, e ndjekur nga Serbia me 101.1 milionë euro dhe Shqipëria me 83.4 milionë euro. Në anën tjetër, eksportet kosovare orientohen kryesisht drejt Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë.
Zgjerimi i vazhdueshëm i importeve lidhet, sipas ekonomistëve, me disa faktorë që kanë shoqëruar ekonominë e Kosovës gjatë viteve të fundit.
Të dhënat e Doganës së Kosovës, Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe Odës Ekonomike të Kosovës tregojnë se, pavarësisht rritjes graduale të eksporteve, ekonomia e vendit vazhdon të mbështetet kryesisht në mallrat e importuara.
Mbi 32 miliardë euro të shpenzuara për importe në rreth pesë vjet e gjysmë, rekordi prej mbi 7 miliardë eurosh importe në vitin 2025 dhe ritmi i lartë i importit edhe në vitin 2026 dëshmojnë se kërkesa e tregut vendas vazhdon të mbulohet kryesisht nga prodhimi i huaj./Monitor