
MONGOLI- Presidenti rus Vladimir Putin ka mbërritur në Mongoli, në vizitën e tij të parë në një vend anëtar të Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC), që prej lëshimit të urdhrit të arrestit ndaj tij vitin e kaluar. Ai u prit me nderime nga udhëheqësi i Mongolisë në një ceremoni zyrtare në kryeqytetin Ulaanbaatar. Gjykata e kërkon Putinin për deportimin e dyshuar të paligjshëm të fëmijëve ukrainas, por Kremlini ka deklaruar se nuk ka shqetësime për arrestimin e tij gjatë kësaj vizite.
Gjatë pritjes së tij, disa protestues u mblodhën në sheshin qendror të qytetit, duke kërkuar largimin e Putinit nga vendi, ndërsa një tjetër protestë është planifikuar për të martën. Ukraina i ka bërë thirrje Mongolisë që të prangosë Putinin dhe ta dorëzojë në ICC, duke respektuar urdhrin ndërkombëtar të arrestit. Megjithatë, Mongolia nuk ka reaguar publikisht ndaj kësaj kërkese sipas BBC.

Ndërkohë, Rusia dhe Mongolia kanë mbajtur marrëdhënie të mira që prej rënies së Bashkimit Sovjetik, dhe Mongolia nuk e ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës. Rusia është angazhuar në bisedime për ndërtimin e një tubacioni gazi që do të kalonte përmes Mongolisë për të furnizuar Kinën, si pjesë e strategjisë së Moskës për të kompensuar humbjet e tregut evropian pas sanksioneve të vendosura për shkak të pushtimit të Ukrainës./ ZËRI