
TURQI- Abdullah Ocalan, udhëheqësi i burgosur i Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), i bëri thirrje grupit që ai themeloi të dorëzonte armët dhe të shpërndahej. Kjo deklaratw wshtw historike, pasi apeli i Oçalanit mund të shënojë një pikë kthese në konfliktin midis PKK-së dhe Turqisë, një luftë që ka marrë dhjetëra mijëra jetë gjatë 40 viteve të fundit.
Në një deklaratë prej një faqe e gjysmë, Oçalan shpjegoi se lufta e armatosur kundër shtetit ishte dikur e nevojshme për shkak të politikave që mohonin identitetin kurd dhe kufizonin të drejtat dhe liritë kurde. Por sipas tij, tani me hapat demokratikë të ndërmarrë nga qeveria turke që nga viti 2014 në lidhje me çështjet kurde, rezistenca e armatosur nuk ka më kuptim.
"Prandaj, PKK duhet të shpërbëhet,"- tha ai.
Mesazhi i Oçalan u lexua nga delegacioni i Partisë Pro-Kurde për Demokracinë Popullore dhe Barazinë (DEM) që e vizitoi sot në ishullin Imrali, ku ai është i burgosur. Negociatat midis Ocalan dhe qeverisë turke filluan vitin e kaluar dhe u zbuluan publikisht nga udhëheqësi nacionalist turk Devlet Bahçeli, kryetar i Partisë Lëvizja Nacionaliste (MHP) dhe një aleat i Presidentit Rexhep Tajip Erdogan.
Shumë ekspertë në Ankara besojnë se motivimi i qeverisë për t'u angazhuar në bisedimet me Oçalanin është i lidhur me përshkallëzimin e tensioneve rajonale midis Izraelit dhe Iranit. Zyrtarët turq thuhet se kanë frikë se çështja kurde mund të bëhet një dobësi strategjike dhe besojnë se zgjidhja e saj është çelësi për stabilizimin e Turqisë dhe rajonit më të gjerë.
Një burim turk me njohuri për këtë çështje tha për Middle East Eye se Ankaraja pret kryesisht që PKK të përmbushë thirrjen e Oçalanit, megjithëse disa fraksione mund të rezistojnë.
"Ata që refuzojnë të respektojnë do të trajtohen duke përdorur forcën e plotë të ushtrisë dhe ligjit,"- tha ai.
Udhëheqësit e PKK kanë deklaruar vazhdimisht se do të marrin parasysh mesazhin e Öcalan dhe do të veprojnë në përputhje me rrethanat./ZËRI