
SHBA- Nga godina e Kombeve të Bashkuara vazhdojnë takimet e liderëve botërorë në ditën e dytë radhazi. Pasdite do të mblidhet Këshilli i Sigurimit, debati për të cilin do të monitorohet nga kryeministri shqiptar Edi Rama. Seanca speciale për Ukrainën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së e thirrur nga Presidenca shqiptare dhe e drejtuar nga kryeministri Rama pritet të bëjë bashkë në të njëjtën dhomë presidentin amerikan Joe Biden, presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe kryediplomatin rus Sergey Lavrov.
“Shpresoj që ky debat i hapur i nivelit të lartë të mobilizojë botën në përpjekjet e saj të përbashkëta për të dënuar luftën e për të rritur trysninë ndaj Rusisë, për të kthyer rrugë dhe për t’i lënë vend nisjes së procesit të paqes së drejtë. Jemi mjaft të ndërgjegjshëm për vlerën e paqes dhe përpjekjet monumentale që duhen për arritjen e, mbi të gjitha, për ruajtjen e saj,”-tha Rama në videon që publikoi në rrjetet e tij sociale para mbledhjes.
Takimi do të fokusohet në parimet e Kartës së OKB-së, të cilat kërkojnë që çdo vend të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të të tjerëve. Kjo do të jetë hera e parë që dy përfaqësuesit e lartë të dy vendeve, ulen në dialog së bashku. Në vitin e parë të luftës ka pasur takime mes delegacioneve, por asnjëherë në një nivel kaq të lartë zyrtarësh. I pyetur për takimin gjatë një vizite në një spital në Neë York që ka trajtuar ushtarët ukrainas, Zelenskyy tha se Kombet e Bashkuara ende janë strehë “për terroristët rusë”.
Për herë të parë ndër vite, Presidenti i SHBA-ve Joe Biden do të jetë i vetmi lider nga pesë vendet e fuqishme me veto në Këshillin e Sigurimit të OKB-së që do të marrë pjesë personalisht në takime. Udhëheqësit nga Rusia, Kina, Franca dhe Britania e Madhe nuk kanë bërë plane për të udhëtuar në Neë York, në takimet që do zgjasin deri më 26 shtator.
Përveç Zelenskyy-t dhe Lavrov, edhe presidenti Joe Biden dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të takohen. Ky është takimi i parë mes dy liderëve që kur Netanyahu u rikthye në detyrë në nëntor të vitit të kaluar.
Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres do të mbledhë Samitin e Ambicieve Klimatike për të përshpejtuar politikën e ndryshimeve klimatike, drejtësinë klimatike dhe dekarbonizimin përmes përpjekjeve kolektive.
Çfarë ndodhi në ditën e parë?
UNGA filloi me një fjalim të ashpër nga Guterres, i fokusuar në tensionet gjeopolitike të nxitura kryesisht nga lufta në Ukrainë. Dita e parë pati fjalime nga liderë të profilit të lartë, duke përfshirë Biden, presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, Zelenskyy-n dhe presidentin iranian Ebrahim Raisi. Pyetjet rreth zhvillimit ndërkombëtar dhe si të trajtohen ndryshimet klimatike do të jenë gjithashtu në krye të agjendës.
Çfarë është Kombet e Bashkuara dhe çfarë është Asambleja e Përgjithshme e saj?
Kombet e Bashkuara (OKB) është një organizatë ndërkombëtare e cila u formua në vitin 1945 pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore me qëllim të ruajtjes së paqes ndërkombëtare. Organizata tani përfshin 193 vende që janë anëtarë të plotë, dhe dy shtete joanëtare - Selinë e Shenjtë (një zonë e Romës nën juridiksionin e Papës) dhe Shtetin e Palestinës. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së (UNGA) është mbledhja kryesore e cila vendos se çfarë duhet të bëjë organizata. Është i vetmi takim në të cilin përfaqësohen të 193 anëtarët e OKB-së. Asambleja e Përgjithshme zhvillohet çdo shtator, në selinë e OKB-së në Nju Jork.
Çfarë mund të dalë nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së?
OKB-ja paraqet një mundësi unike për krerët e shteteve dhe krerët e qeverive të botës që të takohen në një vend. Ajo është përshkruar si një ngjarje "takim diplomatik me shpejtësi". Rezultatet më domethënëse nga OKB-ja shpesh vijnë nga takimet rpivate ndërmjet liderëve ndërkombëtarë./Zëri.ai