
SPANJË - Fermerët në Spanjë u janë bashkuar homologëve të tyre evropianë në organizimin e protestave në të gjithë vendin. Ashtu si fermerët kudo në kontinent, ata kërkojnë më shumë fleksibilitet nga Bashkimi Evropian, kontrolle më të forta mbi prodhimet e vendeve jo anëtare të BE-së dhe më shumë ndihmë nga qeveria e tyre.
Në disa rajone, ata bllokuan rrugët dhe shkaktuan ndërprerje të trafikut rrugor. Një demonstratë e madhe në qendër të Madridit është planifikuar për në fund të këtij muaji. Të martën, fermerët dolën në rrugët e zonave bujqësore në brendësinë veriore të Spanjës, duke ngarë traktorët në autokolona, duke iu rënë borive, duke valëvitur flamujt spanjollë dhe duke tundur pankarta.
Ata gjithashtu protestuan në rajonin veri-lindor të Katalonjës, rajonin jugor të Andaluzisë dhe Extremaduras në perëndim. Fermerët spanjollë kanë ankesa të ngjashme me homologët e tyre në Francë, Belgjikë, Holandë, Itali dhe vende të tjera që kanë protestuar kohët e fundit.
Ata thonë se rregulloret që janë pjesë e Politikës së Përbashkët Bujqësore të BE-së (CAP), së bashku me kostot e larta të karburantit dhe energjisë, e bëjnë të vështirë për ta, që të nxjerrin fitim. "Kostot, kur bëhet fjalë për prodhimin e grurit dhe elbit, janë shumë të larta," tha Esteban, një fermer drithërash që preferoi të mos jepte mbiemrin e tij, që po protestonte në Aranda de Duero. "Duhet të paguajmë për plehrat, pesticidet, karburantin - po na vret e gjitha kjo. Ne duhet të paguajmë çmime shumë të larta, megjithatë ne shesim me çmime të ulëta", tha ai.
Fermerët francezë protestues akuzuan prodhuesit spanjollë se i nënvlerësuan ata, duke mos respektuar plotësisht rregullat e BE-së. Javën e kaluar, ish-ministrja franceze Ségolène Royal shkaktoi polemika, duke pretenduar se domatet organike spanjolle ishin "organike false". Kjo pasoi një reagim nga industria spanjolle e ushqimit dhe bujqësisë, teksa kryeministri Pedro Sánchez e ftoi zonjën Royal të provonte një domate spanjolle.
Megjithatë, sektori bujqësor i Spanjës ka kritika të ngjashme për vendet jo anëtare të BE-së, si fqinji i saj jugor, Maroku, për të cilin pretendon se nuk respekton të njëjtat rregullore mjedisore dhe sanitare si prodhuesit evropianë, duke e lejuar atë të shesë prodhime më të lira. Fermerët deklaruan se duan që bujqësia të ketë zhvillim, por se nuk po shohin diçka të tillë./ZËRI/