Bota

Në vendin ‘maskilist’, një grua do të jetë presidente

Dy partitë kryesore në vend kanë kandidate për kryetare të shtetit një femër

D.XH
Në vendin ‘maskilist’, një grua do të jetë
Dy kandidatet për presidente në Meksikë, Sheinbaum dhe Galvez

MEKSIKË – I ndaluar me kushtetutë nga kandidimi për rizgjedhje, presidenti meksikan Andrés Manuel López Obrador u përpoq të tregonte muajin e kaluar, në një mënyrë shumë publike, se kandidatja presidenciale Claudia Sheinbaum ka bekimin e tij. Kështu që ai i dha mbështetje Sheinbaum, për të qenë kryetare e shtetit meksikan.

Sheinbaum është një ish-kryetare e bashkisë së qytetit të Meksikos dhe aleate e vjetër politike e Lopez Obrador. Duke pranuar të kandidojë nën siglën e të partisë së majtë Morena, Sheinbaum tha se do të merrte "përgjegjësinë e plotë të vazhdimit të politikave të vijuara nga populli ynë, atë të transformimit të nisur nga Presidenti Andres Manuel Lopez Obrador".

Kur meksikanët të shkojnë në votime qershorin e ardhshëm, ata do të zgjedhin mes dy grave për presidente – e para në historinë e vendit. Vetëm katër ditë përpara se partia Morena të emëronte Sheinbaum-in, koalicioni opozitar i Meksikës, Fronti i Gjerë zgjodhi një kandidate tjetër femër, ish-senatoren Xochitl Gálvez nga partia konservatore PAN.

Nuk është hera e parë që Meksika sheh gra që konkurrojnë për presidencën; përpara Sheinbaum dhe Gálvez, ishin gjashtë kandidate të tjera presidenciale femra. Por me dy palët kryesore politike që nominojnë gratë, kjo është hera e parë që është praktikisht e ditur që duke filluar nga dhjetori 2024, Meksika, një vend i njohur më parë për maskilizmin, do të drejtohet nga një grua. Megjithatë, disa kritikë thonë se hija e Lopez Obrador në largim është ende e pranishme.

Njihuni me kandidatet: Sheinbaum dhe Galvez

Rritja e Gálvez në politikën meksikane ka qenë meteorike; këtë pranverë, ajo tha se nuk ishte as e preferuara e PRI-së, PAN-it dhe PRD-së, partitë që tani formojnë koalicionin e Frontit të Gjerë. Ishte një grindje publike me vetë Lopez Obradorin – i cili e sulmonte rregullisht si një “kukull” dhe “punonjëse e oligarkisë” në konferencat e shtypit – që përfundimisht bëri që ajo të jetë në qendër të vëmendjes.

Vajza e një babai indigjen dhe një nëne me raca të përziera, Gálvez shërbeu si zyrtarja më e lartë për çështjet indigjene nën ish-presidentin Vicente Fox përpara se të bëhej senatore. Në disa aspekte, ajo duket progresiste. Gálvez ka mbrojtur në Kongresin Meksikan të drejtat dhe mirëqenien e grupeve indigjene dhe afro-meksikanëve, dhe në një forum rajonal në fillim të këtij viti në Monterrey, tha se Meksika e pasur me naftë duhet të kalojë në energjinë e rinovueshme. "Ne nuk e kemi bërë sepse jemi budallenj," tha Gálvez.

Ajo ka thënë gjithashtu se pensioni i premtuar nga Lopez Obrador për të gjithë qytetarët e moshuar duhet të vazhdojë dhe propozon atë që ajo e quan një "sistem universal të mbrojtjes sociale" të programeve të mirëqenies për një pjesë të madhe të shtresave të mesme dhe të ulëta. Por kur bëhet fjalë për sigurinë dhe luftën kundër krimit të organizuar, plani me tre drejtime i Gálvez është ‘muskuloz’, bazuar në atë që ajo e përshkruan si "dorë të hekurt": forcimin e policisë lokale dhe shtetërore dhe dhënien e aksesit në inteligjencë, avokimi dhe mbrojtja e viktimave dhe respektimi i shtetit të së drejtës.

Macario Schettino, një analist politik dhe profesor i Shkencave Sociale në ITESM, një universitet i njohur meksikan, e përshkruan momentin politik të Gálvez si mbresëlënës, duke pasur parasysh se vetëm pak muaj më parë, ajo as që konsiderohej si kandidate me profil kombëtar. “Ajo mezi filloi të regjistrohej në aspektin politik dhe tashmë ka pasur një rritje të madhe. Shumë njerëz në Meksikë ende nuk e njohin atë. Ajo do të rritet në popullaritet", tha Schettino, "Ndërsa Claudia Sheinbaum nuk mund të lëvizë më nga vendi ku është sepse ajo tashmë njihet nga shumica e meksikanëve."

Sheinbaum, një fizikante me doktoraturë në inxhinierinë mjedisore, do të ishte gjithashtu presidentja e parë me trashëgimi hebraike nëse fiton, megjithëse ajo rrallë flet publikisht për prejardhjen e saj personale dhe ka qeverisur si e majtë laike.

Ajo aktualisht është përpara në shumicën e sondazheve dhe do të jetë një kundërshtare e vështirë për t'u mposhtur. Sheinbaum jo vetëm që ka mbështetjen e plotë të partisë qeverisëse, ajo gjithashtu ka qenë në qendër të vëmendjes si kryebashkiake e qytetit më të rëndësishëm të Meksikës për pesë vitet e fundit deri në dorëheqjen e saj në qershor për të kandiduar për presidencën.

Sa i përket politikës, Sheinbaum është zotuar të vazhdojë shumë nga politikat dhe programet e Lopez Obrador, duke përfshirë një pension për të gjithë qytetarët e moshuar, bursa për më shumë se 12 milionë studentë dhe ndihma për pronarët e fermave të vogla. Por ish-kryetarja e profilit të lartë hedh poshtë kritikat për lidhjen e saj të ngushtë politike me presidentin. “Sigurisht që ne nuk jemi një kopje (e presidentit),” tha ajo në korrik.

Megjithatë, ajo nuk i shmanget reklamimit të parimeve që ata ndajnë: “Për të mirën e të gjithëve, le të vendosim të varfërit në radhë të parë. Nuk mund të ketë një qeveri të pasur nëse njerëzit janë të varfër. Pushteti është vetëm një virtyt kur përdoret për t'i shërbyer njerëzve", tha Sheinbaum, duke përsëritur të njëjtat slogane të fushatës që Lopez Obrador ka përdorur për vite me radhë.

Lopez Obrador premton ‘pensionim të përjetshëm’

Lopez Obrador me popullaritet të jashtëzakonshëm e sheh Sheinbaum-in si pasardhësen e tij në pushtet. Ai tregon për rrënjët e partisë së tyre Morena në Partinë Revolucionare Institucionale autoritare që qeverisi Meksikën për më shumë se shtatë dekada deri në vitin 2000. Në vitin 2012, Lopez Obrador krijoi Morenën si parti politike. Partia sot shikohet si nën ndikimin e Lopez Obrador - duke përfaqësuar atë që ai thotë se është dëshira e liderit aktual për një pasardhës që të jetë afër axhendës së tij. Komentuesit politikë besojnë se Obrador do që të jetë në pushtet jo vetë fizikisht, por me idetë e tij. López Obrador megjithatë ka hedhur poshtë vazhdimisht akuzat për prirje autoritare ose se ai favorizon një kandidat që do të jetë në gjendje të kontrollojë. Në fillim të këtij viti, Lopez Obrador mohoi se ai kishte ndonjë favorit midis kandidatëve të partisë së tij ose se ai po bënte presion për një kandidat ose një tjetër në prapaskenë.

Ai ka thënë gjithashtu se do të largohet “plotësisht në pension” pas përfundimit të mandatit të tij gjashtëvjeçar në detyrë. “Po tërhiqem, nuk do të marr më pjesë në asnjë event publik, sigurisht. Unë nuk do të pranoj asnjë post, nuk dua të jem këshilltar i askujt, aq më pak të veproj si shef. Unë nuk do të kem marrëdhënie me politikanë. Nuk do të flas për politikë”, tha presidenti./Zëri.ai/

 

Poll

MOS HUMB