
RUSI - Ish-komandanti i Grupit të Përbashkët të Forcave Ruse në Ukrainë Sergey Surovikin është parë me familjen e tij në një nga kishat në Moskë.
Portali rus “Nova Vesti” ka publikuar një foto ku shihet Surovikin me një xhaketë dhe xhinse përballë kishës. Megjithatë, nuk dihet saktësisht se kur është bërë fotografia dhe misteri përfshin figurën e këtij gjenerali të lartë.
Surovikin ka munguar në sferën publike që nga rebelimi i armatosur i Vagnerit dhe mediat perëndimore shkruajnë se ai doli kundër liderit rus Vladimir Putin dhe se ai madje është në paraburgim. Ai u pa vetëm gjatë vizitës së delegacionit të Ministrisë së Mbrojtjes ruse në Algjeri në mes të shtatorit.
Nuk është e qartë se çfarë pozicioni mban aktualisht Surovikin, por Viktor Zavarzin, një anëtar i komitetit të mbrojtjes të Dumës, deklaroi së fundmi se gjenerali "gjeti një pozicion të mirë" në Komonuelthin e Shteteve të Pavarura.
Surovikin nuk është shfaqur në publik që nga 24 qershori, pasi u publikua video-mesazh i tij drejtuar luftëtarëve rebelë të kompanisë private ushtarake Uagner për t'u kthyer në baza.
Mediat ruse kishin deklaruar se ai ishte bërë me Prigozhin dhe kundër Putin e madje shihej edhe si 'pasardhës' i Yevgeni Prigozhin. Por, mediat aludojnë se gjenerali është liruar, pasi Prigozhin vdiq në aksident ajror. Nëse gjenerali tashmë ka ndryshuar kah e është rikthyer si general i lartë i Moskës, kjo gjë nuk dihet./Zëri.ai/