
MEKSIKË-Një tjetër kandidate për kryetare bashkie të qytetit Celaya të shkatërruar nga dhuna në Meksikë është vrarë sapo ajo filloi fushatën elektorale. Autoritetet në shtetin veri-qendror të Guanajuato thanë se kandidatja Gisela Gaytan u qëllua për vdekje në një rrugë jashtë qytetit të Celaya, raportojnë mediat e huaja.
Gaytan, 38 vjeç, u vra ndërsa përgatitej për një tubim elektoral dhe kishte thënë më herët të hënën në një konferencë për shtyp se kishte kërkuar mbrojtje për fushatën e saj. Guvernatori i shtetit të Guanajuato, ku ndodhi vrasja, Diego Sinhue, shkroi në X se sulmi "nuk do të mbetet i pandëshkuar".
Një ditë më parë një kryebashkiak në Meksikë ka rënë pre e një atentati, që i mori jetën, teksa ishte duke ngrënë drekë bashkë me djalin e tij të mitur, vetëm 14-vjeç. Viktimë ka mbetur Guillermo Torres, kryetari i bashkisë së Churumuco-s, ndërsa ngjarja ka ndodhur në qytetin Morelia të shtetit Michoacán.
Dy kandidatë për kryetar bashkie u vranë në një qytet tjetër në Michoacan më 26 shkurt: Miguel Angel Zavala Reyes dhe Armando Perez Luna nga Morena dhe Partia e Veprimit Kombëtar. Muajin e kaluar, prokurorët në Meksikën jugore thanë se kandidati për kryetar bashkie Tomás Morales u vra në shtetin e Guerreros në bregdetin e Paqësorit. Gjithashtu në mars, Alfredo González, një pretendent për kryetar bashkie në qytetin e Atoyac, Guerrero, u qëllua për vdekje./ZËRI