
ROMË- Kryeministrja italiane Giorgia Meloni gjatë fjalës së saj në Kuvend u shpreh se së shpejti do t’i hapet rruga paktik të emigrantëve me Shqipërinë. Meloni tha se nisma e ndërmarrë nga presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen për krijimin e qendrave të azilit do t’i hapë rrugë marrëveshjes. Pritet që Von der Leyen në samitin e liderëve evropianë të kërkojë që t’i hapet rruga krijimit të një projekti të ngjashëm mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët.
“Përsa i përket protokollit me Shqipërinë ju i kuptoni arsyet pse për momentin zbatimi i tij është pezulluar. Kjo çështje po shqyrtohet nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë. Shumica e shteteve anëtare të BE-së dhe Komisioni Evropian mbështesin qëndrimin e qeverisë italiane për këtë çështje. Në propozimin e presidentes së KE, Ursula von der Leyen për Këshillin Evropian, që mblidhet këtë fundjavë, thuhet se duhen hapur qendra pritjeje në shtete të treta jashtë BE-së, për shqyrtimin e kërkesave të azilkërkuesve. Kjo nuk do të ndodhte nëse Italia nuk do të kishte kurajon që të inicionte protokollin me Shqipërinë. Me këtë kurajo ne u përcollëm të tjerëve në BE zgjidhje inovative për të përballuar së bashku flukset emigratore”, tha Meloni.
Në letrën zyrtare të dorëzuar BE-së, kryekomisionerja shprehet se po ndërmerren hapat për të ndërtuar një qendër e tillë pritëse për emigrantete me vendet e treta jashtë kufijve të Bashkimit.
“Ne po hapim mundësinë që shtetet anëtare të krijojnë “qendra riatdhesimi” në shtetet e treta jashtë BE-së. Ky është një element i rëndësishëm i diskutimit tonë mbi zgjidhjet inovative për të trajtuar me vendosmëri migrimin e paligjshëm, në bashkëpunim me vendet partnere, duke siguruar që të drejtat themelore të azilkërkuesve të garantohen në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, thuhet në letër.
Më 20 mars do të mbahet samiti i radhës i liderëve evropiane me temën e “Përballimi i Emigracionit të Ligjshëm”. Pritet që liderët të diskutojnë për operacionet e riatdhesimit dhe si mund të bashkëpunojnë drejtpërdrejt me Frontex dhe vendet e treta jashtë BE-së. Pakti për emigracionin krijon mundësi që të thjeshtohen procedurat e azilit. Komisioni Evropian aktualisht po përgatit një listë të vendeve të sigurta të origjinës që duhet të miratohet nga Parlamenti dhe Këshilli Evropian në javët e ardhshme./ZËRI