
PODGORICË – Ministri i Drejtësisë në Malin e Zi, Marko Kovaç ka refuzuar që të ekstradojë në Kosovë, serbin Momçillo Vukotiç, 61 vjeç, i dyshuar për krime lufte gjatë luftës së Kosovës.
Ministria tha se kushtet ligjore për ekstradim ekzistojnë, por Kovaç mendon se është shkelur Konventa e të Drejtave të Njeriut.
“Në një vendim të Prokurorisë Speciale të Kosovës, nuk thuhet se çfarë veprimesh të jashtëligjshme ka bërë Vukotiç. Por, thuhet se pas 25 viteve, gjoja është paraqitur një dëshmitar, që e ka njohur atë nga fotografia, në një album”, tha Ministria e Drejtësisë në Malin e Zi.
Momçillo Vukotiç u arrestua më 25 shtator dhe u vendos që ai të mbetet në paraburgim. Ai kërkohej nga Interpoli përmes UNMIK-ut, Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, i dyshuar për krime lufte.
Kosova nuk ka komunikim të drejtpërdrejtë me Europol, por komunikon me të përmes UNMIK-ut. Partitë pro-serbe e pro-ruse në Malin e Zi, kanë bërë thirrje që të refuzohen ekstradimet e serbëve, që dyshohen për krime lufte në Kosovë./Zëri.ai/