
ITALI – Një luftëtar i grupit mercenar rus Vagner, me emrin Gleb, ka treguar, ndoshta edhe pa dashje, faktin që grupi mercenar, kryen operacione sekrete edhe në Kubë e në Siçili.
Në një bisedë që Gleb ka zhvilluar me motrën e tij, Sashën, ai rrëfen se grupi mercenar, përpos destinacioneve të tjera, kryente operacione edhe në Kubë e Itali.
Gleb nuk donte që një video-regjistrim, që ekziston, ku ai flet me të motrën, të dilte në publik, por gazetaët thanë se do të publikojnë atë, me qëllim që njerëzit të dinë arsyet, se përse shumë luftëtarë bashkohen me Vagner apo organizata të ngjashme.
“Kam nënshkruar një kontratë së paku për një vit. Më pëlqen që të shkoj në vende të ndryshme. Ata kanë një qendër në Shën Peterburg, ku jepen pagesat. Unë do doja të punoja atje, por marrin vetëm veteran ose persona që nuk kanë duar apo këmbë tashmë.
Po, ekziston mundësia që të më dërgojnë në një destinacion tjetër përveç Ukrainës, ku kam qenë, më larg, në Siri, Libi ose Artsakh ose Egjipt. Nuk do të them asgjë për dy destinacionet e tjera që i di me siguri, jo nga thashethemet, sepse atje do të caktohet një konkurs i caktuar: ato janë Sicilia dhe Kuba. A e kupton? Kuba! Do të shkoj dy vjet atje, avionë, makina atje, puro kubane”, kishte thënë mercenari në bisedë.
Ministri italian i Mbrojtjes Guido Crosetto kishte deklaruar se tashmë Vagner mund të cënojë sigurinë e italianëve. Mirëpo, prova për këtë nuk janë gjetur. Ish-kreu i Vagner, Yevgeni Prigozhin kishte replikuar në distancë me Crosetton, duke sharë në një zhargon rus.
Biseda mes mercenarit Gleb dhe motrës së tij, zbulon faktin se luftëtarët bisedonin me të afërmit me një aplikacion që quhet “Stream”. Ky aplikacion shërbente për biseda mes anëtarëve.
Për çdo rrjedhje informacioni, luftëtarët ndesheshin me ndëshkime të ashpra, tortura dhe pezullim të pagave. Të shtënat në gjunjë ishin një formë e zakonshme e ndëshkimit. Për krime më të rënda, luftëtarët e Vagner, mund të vriteshin. Gleb foli edhe për të burgosur ukrainas, që janë vrarë nga grupi, në kundërshtim me ligjin e luftës. Ndërsa, pagesat mujore të çdo anëtari të Vagner ishin të konsiderueshme.
Grupi Vagner drejtohej nga Yevgeni Prigozhin, i cili ndërroi jetë pak kohë më parë në një aksident ajror. Grupimi thuhet se është marrë sërish nën kontroll nga Ministria e Mbrojtjes e Rusisë./Zëri.ai/