
BJELLORUSI- Presidenti Aleksandër Lukashenko, i ka dhënë vetes imunitet të përjtshëm, duke firmosur një ligj që ndalon ndjekjen e tij penale, deri në vdekje. Ligji që është firmosur nga vetë Lukashenko, shpëton nga ndjekja penale çdo ish-president të mëparshëm dhe anëtarët e familjeve të tyre.
Edhe pse në teori ligji është shitur në këtë mënyrë, në praktikë në fakt ai është hartuar dhe miratuar vetëm për nder të Lukashenkos, i cili drejton Bjellorusinë prej më shumë se 30 vitesh, ndërsa cilësohet si një prej kryetarëve të shtetit me dorë të hekurt. Po ashtu ligji i kaluar së fundi nga Lukashenko ndalon çdo përfaqësues të opozitës që jetojnë jashtë vendit, që të bëhen pjesë e garës së ardhshme presidenciale.
Sipas The Guardian, ligji i ri synon që të forcojë më tej pozitat e Lukashenkos, dhe të eleminojë çdo kundërshtar të mundshëm të tij, për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen vitin e ardhshëm. Në ligj janë ashpërsuar dhe kërkesat që do të duhet të plotësojnë kandidatët për president.
Vetëm shtetasit bjellorusë që kanë qenë banorë të përhershëm të vendit për të paktën 20 vjet dhe nuk kanë pasur kurrë një leje qëndrimi në një vend tjetër kanë të drejtë të kandidojnë për postin. Ligji thotë se Lukashenko, nëse largohet nga detyra, “nuk mund të mbahet përgjegjës për veprimet e kryera në lidhje me ushtrimin e kompetencave të tij presidenciale.”
Sipas ligjit, presidenti dhe anëtarët e familjes së tij do të kenë mbrojtje të përjetshme nga qeveria, kujdes mjekësor dhe sigurim të jetës dhe shëndetit.
Pas dorëheqjes së tij, presidenti do të bëhet gjithashtu një anëtar i përhershëm i Dhomës së Lartë.
Ligji i miratuar vjen pas protestave masive që ndodhën në vitin 2020 në Bjellorusi, të cilat u cilësuan të manipuluara. Gjatë asaj kohe, u arrestuan më shumë se 35,000 persona, shumë prej të cilëve u torturuan gjatë ndalimit ose u larguan nga vendi./ZËRI