
BERLIN- Lufta e nisur mes Hamasit dhe Izraelit, me sa duket ka ndarë në qëndrime Presidentin e Turqisë Rexhep Tajip Erdogan dhe Kancelarin gjerman Olaf Scholz. Erdogan, një ditë më parë vizitoi Berlin, ku zhvilloi një takim “kokë më kokë” me Scholz. Ndasitë u shfaqen dhe në konferencën e përbashkët për mediat. Erdogan u qëndroi deklaratave të tij kundër Izraelit.
Rexhep Tajip Erdogan: Unë flas lirisht pasi nuk i kemi gjë borxh Izraelit. Nëse do t’i kishim borxh, nuk do të flisnim dot lirisht. Ata që janë në borxh nuk flasim dot lirshëm. Ne nuk përjetuam Holokaustin dhe nuk gjendemi në një situatë të tillë.
Ndërkohë Kancelari Scholz u shopreh se një organizatë terroriste si Hamasi nuk mund të qeverisë më Gazën.
Olaf Scholz: Zoti President, nuk është sekret që ne kemi pikëpamje të ndryshme, ndonjëherë shumë të ndryshme për konfliktin aktual. Pikërisht për këtë arsye bisedimet tona janë të rëndësishme. Izraeli ka të drejtë për vetëmbrojtje. Ishte një sulm i tmerrshëm, brutal i kryer nga Hamasi. Nuk mund të vazhdojë një organizatë terroriste që qeveris këtë rajon, të ndërmarrë aktivitete të tilla nga atje në mënyrë të përsëritur, me forcë të pabesueshme ushtarake. Kjo duhet të marrë fund dhe ky është një objektiv që duhet mbështetur, ne në çdo rast e mbështesim.
Vizita e Erdogan në Gjermani ishte parashikuar për tu zhvilluar më herët por u shty për shkak të deklaratave të tij të ashpra ndaj Izraelit. Erdogan e cilësoi këtë javë Izraelin një vend terrorist që synon të shkatërrojë Gazën dhe i ka përshkruar militantët e Hamasit “luftëtarë të rezistencës” që përpiqen të mbrojnë tokën dhe popullin e tyre./Zëri.ai