
IZRAEL- Grupi i dytë i pengjeve izraelitë të liruar nga Hamasi janë rrugës për në vendkalimin Rafah në skajin jugor të Rripit të Gazës. Egjipti njoftoi se mori listat me emrat e 13 pengjeve që do të lirohen sot nga Hamasi si dhe emrat e 39 palestinezëve që u liruan nga burgjet izraelite.
Gjithashtu këshilltari për sigurinë kombëtare i presidencës amerikane, Jake Sullivan, tha sot se një shtetas amerikan mund të jetë në mesin e pengjeve që do të lirohen sot nga Rripi i Gazës. Nga ana tjetër ushtria izraelite ka konfirmuar se 14 pengje izraelite dhe 3 tajlandezë janë dorëzuar nga Hamasi në Kryqin e Kuq.
Gjithashtu Diaa Raswan, kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror të Egjiptit (SIS), theksoi në një deklaratë se armëpushimi vazhdon të respektohet pa pengesa, duke theksuar se 120 kamionë me ndihma humanitare hynë sot në enklavën palestineze nga Egjipti.
Gjatë armëpushimit në Rripin e Gazës do të hyjnë çdo ditë nëpërmjet pikës kufitare egjiptiane Rafah 130,000 litra naftë dhe katër kamionë me shishe gazi. Autoritetet egjiptiane thanë se në territorin palestinez do të hyjnë çdo ditë gjithsej 200 kamionë që transportojnë ndihma. Kamionët e parë me ndihma e kanë kaluar tashmë kufirin./Zëri.ai