KOSOVË- Lidhja Demokratike e Kosovës pritet të dalë së shpejti me një emër për postin e presidentit të Kosovës, ndërsa diskutimet me Lëvizjen Vetëvendosje për këtë çështje vijojnë.
Deputeti i LDK-së, Ukë Rugova, është shprehur optimist se palët mund të arrijnë së shpejti te një kandidat konsensual për postin e presidentit.
“Besoj që shpejt do të kemi një emër të një presidenti konsensual. Uroj që të jetë gjatë kësaj jave, ashtu siç e tha edhe kongresisti DeGuardi”, ka deklaruar Rugova.
Ai tha se Kosova ka disa figura të përgatitura për të marrë përsipër këtë detyrë, ndërsa sqaroi se vetë nuk e konsideron veten kandidat në këtë fazë.
“Besoj që ka emra të tjerë më të mirë e më të përgatitur për t’i shërbyer në këtë fazë Kosovës”, u shpreh ai.
LDK-ja dhe Vetëvendosje po zhvillojnë diskutime për zgjedhjen e presidentit. Në nisje të negociatave, LDK-ja kishte kërkuar që posti t’i takonte kësaj force politike, duke e argumentuar si një nevojë për balancë demokratike.
Ndërkohë, në takimin e fundit mes Albin Kurtit, Lumir Abdixhikut, Vjosa Osmanit dhe Lutfi Hazirit, palët deklaruan se kishin rënë dakord mbi profilin e presidentit të ardhshëm. Në takimin e radhës pritet që diskutimi të kalojë nga profili i kandidatit te emrat konkretë që mund të garojnë për postin./ZËRI