
KOSOVË- I dërguari special i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak ka zhvilluar takime me zyrtarët më të lartë të shtetit të Kosovës. Ai tha se pas takimeve që ka pasur me kryeministrin Albin Kurti dhe zv kryeministrin Besnik Bislimi, kanë folur edhe për vendimin e BQK-së për të ndaluar dinarin serb në territorin e Kosovës. Lajçak bëri me dije se gjatë takimit është folur edhe për agresionin serb në Banjskë të Zveçanit më datë 24 shtator 2023. Ai tha se për sulmin terrorist, përgjegjësit duhet të dalin përpara drejtësisë. “Kemi folur për vendimin e BQK-së, por nuk dua të veproj sikur jam zëdhënës i qeverisë. Nesër do të kuptoni më shumë për këtë. Ndërsa, sulmi në Banjskë diskutohet çdo herë, prej se ka ndodhur. E kam ngritur si çështje edhe dje në Beograd, sepse natyrisht publiku europian dhe vendet anëtare të BE-së presin pasojat dhe që përgjegjësit të dalin përpara drejtësisë”, ka thënë Lajçak. Ai shtoi se BE nuk po kryen hetime për sulmin e Banjskës, por vetëm është duke marrë informacione. “Kur flasim për hetime, unë nuk jam adresa e duhur. BE nuk ka hetim për Banjskën, por vendet janë duke bërë hetimet e veta. Bashkimi Europian nuk po bën hetime, por vetëm po merr informacione nga partnerët”, tha ai.
Lajçak takon Osmanin. Presidentja: Të hiqen masat e BE-së ndaj Kosovës
I dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ndodhet në Kosovë në përpjekje për të çuar përpara dialogun me Serbinë. Lajçak është pritur nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila gjatë takimit ka kërkuar heqjen e masave ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës vitin e kaluar nga BE-ja për shkak të mos shtentsionimit të situatës në Veri.

Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura, ku është diskutuar për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë. Presidentja Osmani ka ritheksuar përkushtimin e Kosovës si palë konstruktive në këtë proces. Duke shtuar se është me rëndësi zbatimi i marrëveshjes së Brukselit të 27 shkurtit 2023 dhe aneksi i Ohrit i 18 marsit 2023.
Sa i përket draftit të statutit të Asociacionit, Osmani ritheksoi se institucioni i vetëm që mund ta interpretojë përfundimisht përputhshmërinë e këtij akti me Kushtetutën është Gjykata Kushtetuese e Kosovës, gjersa po ashtu i shprehu shqetësimet e saj lidhur me disa dispozita të këtij drafti, “të cilat mund të jenë sfiduese gjatë zbatimit në praktikë”.
“Presidentja ritheksoi nevojën e heqjes së masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të cilat janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog. Në këtë drejtim, ajo përsëriti se Kosova ka ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, duke miratuar edhe udhëzimin administrativ, ndërkaq theksoi pritjet e saj që kjo e drejtë e qytetarëve të realizohet pa vonesa e në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim nga presidenca.
Pas takimit me Vjosa Osmanin, Lajçak ka mbërritur në Kryeministrinë e Kosovës për t’u takuar me kryeministrin Albin Kurti. Ndërsa më vonë, ai pritet të takohet edhe me zëvendëskryeministrin kosovar, Besnik Bislimi.
Një ditë më parë, Miroslav Lajçak ishte në Beograd, ku u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me të cilin përveç të tjerash diskutoi edhe për hapat e ardhshëm në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Lajçaku po zhvillon vizitat zyrtare në Beograd dhe Prishtinë në kuadër të përpjekjeve për të përcaktuar shpejtësinë e zbatimit të Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars) për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. /ZËRI