KOSOVË- Një hap i ri është bërë në përpjekjet për zgjidhjen e ngërçit politik në Kosovë, pas takimit mes kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, dhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Biseda mes dy liderëve u përqendrua te zgjedhja e Presidentit të ardhshëm dhe kriteret që duhet të përmbushë figura që do të marrë këtë detyrë.
Në përfundim të takimit, Kurti tha se palët kanë diskutuar mbi vlerat dhe profilin që duhet të ketë kreu i shtetit. Ai theksoi se konsultimet do të vijojnë fillimisht brenda partive, përpara se të hidhen në tryezë emra konkretë.
“Shqyrtuam vlerat që duhet të ketë Presidenti. Pas këtij takimi kemi nevojë të kthehemi tek paritë tona dhe të konsultohemi, e më pas të ritakohemi. Duam President meritor dhe kushtetues, që ka kontribut për popullin dhe që nuk ngjall dilema për rolin, funksionin dhe detyrën fisnike që do të duhet ta kryejë në 5 vitet e ardhshme”, shtoj mes të tjerash Kurti pas takimit me Abdixhikun.
Edhe Abdixhiku u shpreh se takimi ishte zhvilluar në frymë bashkëpunimi. Kreu i LDK-së tha se vendi ka nevojë për një President që ta ushtrojë funksionin me dinjitet dhe se palët kanë rënë dakord të rikthehen në diskutime me kandidatura konkrete.
“Diskutuam në vullnet të mirë, dhe për kriteret apo profilin për Presidentin ose Presidenten. Ka vullnet të dyanshëm për këto kritere. Nuk duam një President të parëndësishëm, por një figurë që e ushtron me dinjitet funksionin e tij. Kosova ka figura të tilla. Kërkuam kohë për konsultime brenda partisë sonë dhe shoqërisë dhe më pas të takohemi për emra. Për këtë na duhet ende kohë. Gjërat tashmë janë shumë më të qarta, LDK nuk kërkon asgjë tjetër veçse stabilitetit institucional. U dakordësuam që të vijmë me emra konkretë në takimet e tjera”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ndërkohë, Kurti bëri të ditur se ka kërkuar takim edhe me PDK-në dhe Aleancën, por sipas tij nuk ka pasur gatishmëri nga këto subjekte për një takim të përbashkët.
Takimi mes Kurtit dhe Abdixhikut erdhi pas konsultimeve të thirrura nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu. Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësues të LVV-së dhe partive të tjera, ndërsa partitë kryesore opozitare munguan.
Zgjedhja e Presidentit mbetet një nga nyjet kryesore të krizës institucionale në Kosovë. Për zgjedhjen e kreut të shtetit kërkohet pjesëmarrja e të paktën 80 deputetëve në votim, duke e bërë të domosdoshme një marrëveshje mes forcave politike.
Ndërkohë, palët pritet të vijojnë konsultimet në ditët në vazhdim, me synimin për të dalë me emra konkretë për postin e Presidentit./ZËRI