Bota

Kosova nën peshën e një viti të vështirë, ngjarjet që shënjuan 2023-shin (dhe jo vetëm)

Ndërsa nga 1 janari i këtij viti kosovarët po lëvizin pa viza në të gjithë zonën Shengen, ndërkombëtarët kanë përveshur mëngët për të mos lënë më asnjë shteg të lirë për palët: Marrëveshja e Ohrit do të zbatohet!

Blerina Shira
Kosova nën peshën e një viti të vështirë, ngjarjet
Foto ilustruese

PRISHTINË- Më 18 mars të këtij viti pas disa muajsh tensione, Kosova dhe Serbia arrijnë në Ohër të Maqedonisë së Veriut dakordësinë për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga BE-ja. Pas një takimi maratonë prej më shumë se 12 orësh, liderët e 2 vendeve u pajtuan, pa firmë, që të bëheshin pjesë integrale e rrugëve të tyre përkatëse drejt Bashkimit Evropian.

Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e obligon Serbinë të njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat, ndërsa detyron Kosovën të formojë Asociacionin e komunave serbe në Kosovë.

Kurti në deklaratat e tij u shpreh se marrëveshja ishte “njohje e ndërsjellë de facto” e Kosovës dhe Serbisë, ndërsa lideri serb u shpreh se ndihej i kënaqur pasi formimi i Asociacionit “është bërë detyrim me prioritet”.

Takime pa rezultat

Marrëveshja e Ohrit parapriu disa takime në muajt në vijim mes Kurtit dhe Vuçiç, por pa përparime të dukshme në angazhimet e ndërmarra prej tyre me ndërmjetës BE-në dhe mbështetje të SHBA-së. Gjatë këtyre muajve Kosova ishte nën presion të vazhdueshëm nga ndërkombëtarët për themelimin e asosacionit të komunave serbe, ndërsa Vuçiç deklaronte se Serbia nuk do ta njihte kurrë pavarësinë e Kosovës.

Zgjedhjet e parakohshme lokale

Por duket se tensionet do të rriteshin shumë shpejt pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje. Më 23 prill mbahen zgjedhjet e parakohshme lokale në 4 komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës - Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – të cilat bojkotuan në masë të madhe nga komuniteti serb. Pjesëmarrja, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte pak më shumë se 3 për qind.

Sipas të dhënave KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje fitoi Mitrovicën e Veriut dhe Leposaviqin, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës mori Zubin Potokun dhe Zveçanin. Këto komuna, deri nëntorin e vitit të kaluar, udhëhiqeshin nga zyrtarë të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila nuk mori pjesë në zgjedhjet e 23 prillit. Një muaj më pas Veriu i Kosovës, kthehet në një arenë të rrezikshme përplasjesh mes popullsisë serbe, forcave të KFOR dhe policisë së Kosovës.

Më 26 maj kryetarët shqiptarë të komunave në veri të Kosovës hyjnë në ndërtesat e komunave, të shoqëruar nga forcat policore. Kryetari i ri i komunës së Leposaviçit, Lulzim Hetemi ngre flamurin e Kosovës, ndërsa raportohej për të shtëna me armë.           

Situata eskalon shumë shpejt në të 3 komunat me shumicë serbe.

Disa qindra serbë u mblodhën para ndërtesave komunale dhe kërkuan tërheqjen e policisë së Kosovës dhe kryetarëve të sapozgjedhur shqiptarë. Ata sulmuan ushtarët e KFOR-it me molotov, sende të forta dhe lëndë të tjera djegëse, ndërsa nuk nguruan as të djegin edhe një prej mjeteve të misionit ndërkombëtar, në të cilën më herët shkruan simbolin ‘Z’, që është edhe simbol i rusëve në Ukrainë. Policia u detyrua të përdorë gaz lotsjellës në Zveçan për të ndaluar protestuesit të cilët tentuan të hyjnë me forcë në objektin e kësaj komune.

Nga eskalimi i tensioneve gjatë demonstratës sipas KFOR-it mbetën të lënduar 25 pjesëtarë nga kontingjenti shumëkombësh dhe 5 policë të Policisë së Kosovës. Pas dy ditësh situata ishte e qetë, por ndërkombëtarët e cilësuan hyrjen në komunat në veri të kryetarëve të rinj si “hyrje me forcë”, duke dënuar veprimet e Prishtinës. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, paralajmëroi se këto veprime do të rezultojnë me pasoja në raportet dypalëshe SHBA-Kosovë.

Ajo çka u paralajmërua erdhi menjëherë.

Bashkimi Evropian përgatiti masa fillestare, si sanksione kundër Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri. Sipas këtyre masave, sanksionet do të përfshinin pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare. Gjithashtu unioni mendoi dhe pasoja financiare për Kosovën duke planifikuar pezullime të financimit nga ana BE-së të disa projekteve.

Duket se përplasjet për zgjedhjet në komunat me shumicë serbe në Veri të Kosovës ishin vetëm pikënisja e një konflikti i cili ngriti në nivelin e kuq alarmin e ndërkombëtarëve për mundësinë e nisjes së një konflikti në Ballkan.

Sulmi në Banjskë

Në orët e para të 24 shtatorit rreth orës 02:43 minuta, Veriu i Kosovës u trondit nga një sulm i një grupi terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku si pasojë mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, kurse zyrtari policor Alban Rashiti u plagos dhe një tjetër u lëndua.

Në mesnatë, Policia kishte vërejtur se në fshatin Banjskë ishin vendosur dy kamionë, duke e bllokuar rrugën, kështu gjatë ndërhyrjes grupi kriminal kishte shtënë në drejtim të Policisë së Kosovës, duke lënë të vrarë policin Afrim Bujaku. Sipas raportimeve një grup prej 30 vetash kishin hyrë në territorin kosovar, ndërsa dyshohej se plani ishte për akte terroriste ndaj autoriteteve të shtetit të Kosovës. 

Gjatë ditës, Policia e Kosovës, arriti të lokalizonte vendosjen e bandave kriminale të cilët kishin hyrë në Kosovë me armatim të rëndë. Një pjesë e tyre ishte vendosur në Manastirin në Banjskë të Zveçanit dhe përreth tij, teksa nga aty po vazhdonin të gjuanin në drejtim të forcave policore.

Më vonë, nga Policia e Kosovës, u konfirmua se 3 pjesëtarë të këtij grupi kriminal ishin vrarë, një prej tyre ishte plagosur, ndërsa më pas, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njoftoi se 6 persona ishin dërguar në ndalim për 48 orë. Një video e bërë publike nga ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla dëshmonte se ky grupim drejtohej nga Milan Radoiçiç, nënkryetar i Listës Serbe, politikan i afërt me Aleksandër Vuçiç. Pas publikimit të pamjeve, Radoiçiç tha dorëheqjen ndërsa u arrestua e u lirua 24 orë më pas. Por as pamjet nuk e bindën Bashkimin Evropian që të vendoste sanksione ndaj Serbisë.

BE u shpreh se hetimi ishte në duart e Policisë së Kosovës të cilët po bashkëpunonin me EULEX-in dhe se në fund të këtyre hetimeve do të vendosej për masat ndaj Serbisë. Por tensionet nuk ndalen. Në kufirin me Kosovën raportohen mjete të ushtrisë serbe duke aktivizuar ndërkombëtarët të cilët u bënin thirrje palëve të ruanin qetësinë.

Sulmi në Banjskë vuri përballë Kosovën dhe me Shqipërinë. Pas ngjarjeve tragjike në Banjskë, kryeministri Shqiptar kërkoi marrjen nën kontroll të Veriut të Kosovës nga NATO. Pothuajse i menjëhershëm ishte dhe reagimi i homologut të tij, Albin Kurti i cili deklaroi se: Autoritetet e Kosovës kanë nën kontroll të plotë territorin.   

Por NATO vendosi që të shtojë praninë e saj duke dhënë garanci se sovraniteti i Kosovës është i paprekshëm.

Drafti

Ndërsa incidenti i Banjskës tregoi se ekuilibrat në këtë pjesë të rajonit janë të brishtë, ndërkombëtarët nxitojnë të vendosin palët në kushtet e bashkëpunimit. Një grup përfaqësuesish të BE, Shteteve të Bashkuara (SHBA), Francës, Gjermanisë dhe Italisë mbërritën në zyrën e Albin Kurtit më 21 tetor ku dhe i dorëzuan një draft për krijimin e Asosacionit të komunave serbe. Dy palët deklaruan se dokumenti ishte “i pranueshëm” për to, por hollësitë rreth përmbajtjes së tij u bënë të ditura javë më pas, ndërsa Vuçic dhe Kurti u shprehën se konfidencialiteti u ishte kërkuar nga 5 emisarët.

Ky draft riktheu dhe njëherë në qendër të debatit, propozimin që kryeministri shqiptar Edi Rama kishte dorëzuar në qershor tek ndërkombëtarët në lidhje me këtë çështje.

“Një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe që Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës për Kosovën", u shpreh asokohe Rama. Edhe ky draft ishte konfidencial vetëm për ‘miqtë ndërkombëtarë’.

Prej 18 marsit Serbia dhe Kosova dhe sidomos kjo e fundit kanë qenë nën presionin ndërkombëtar për të vijuar zbatimin e marrëveshjes së Ohrit. Zgjedhjet e dhjetorit në Serbi ndezën dhe zbehën shpresat e Kosovës për një tjetër qasje të politikës serbe. Rikonfirmimi i Vuçiç si president la në tavolinë të vetmin opsion: lëshojmë pak dhe marrim çfarë duam. Krijimi i asosacionit të komunave serbe në Kosovë ka mbetur në rrjetat e politikës së brendshme, ndërsa Serbia gjatë ditëve të fundit ka bërë vetëm një hap të vogël, atë të lejimit të mjeteve me targa të Kosovës në territorin e saj.

Ndërsa nga 1 janari i këtij viti kosovarët po lëvizin pa viza në të gjithë zonën Shengen, ndërkombëtarët kanë përveshur mëngët për të mos lënë më asnjë shteg të lirë për palët: Marrëveshja e Ohrit do të zbatohet! Karrota për ta është dhënë, gati në dorën tjetër është shkopi!/ZËRI

Poll

MOS HUMB