Bota

Skandal në Itali, një person plagoset nga arma e deputetit, ai fshihet pas imunitetit

Vetë deputeti ka refuzuar që t’i nënshtrohet testit për të parë nëse ka pasur gjurmë baruti në duart e tij

E.K
Skandal në Itali, një person plagoset nga arma e deputetit, ai fshihet
Deputeti italian

ITALI- Një skandal politik ka ndodhur së fundi në Itali, ku në natën e ndërrimit të viteve një person ka mbetur i plagosur nga arma në pronësi të një deputeti të ekstremit të djathtë.

Emanuele Pozzolo, pjesë e partisë së kryeministres Meloni, pranoi që arma ishte e tij, po ka mohuar që të këtë qëlluar ai. Si pasojë e përdorimit të armës, një 31-vjeçar u dërgua për mjekim në spital, pa lëndime serioze për jetën e tij.

Vetë Pozzolo refuzoi që të bënte testin për të parë nëse kishte barut në duart e tij, duke u fshehur pas imunitetit të deputetit, duke sjellë një reagim të ashpër nga opozita në Itali.

“Këta të paaftë janë rrezik për sigurinë e atyre që i rrethojnë, e lëre më për sigurinë kombëtare”, tha Elly Schlein nga Partia Demokratike.

Prokurorët vendas kanë hapur një hetim për të shtënat pasi arma e deputetit qëlloi në një festë në qytetin e vogël Rosazza në rajonin verior të Piemonte.

I plagosuri ka qenë pjesë e festës, e madje në rrethin e personave të afërt me deputetin.

Në një moment, Pozzolo duket se u ka treguar mysafirëve mini-revolverin e tij të kalibrit 22, një nga më të vegjëlit në treg, të cilin ai e ka me leje. Arma thuhet se u kalua mes mysafirëve përpara se të godiste njërin prej tyre në këmbë.

Arma në fjalë ka përmasat e një çakmaku, dhe sipas të gjitha gjasave goditja ka qënë aksidentale.

Andrea Delmastro i tha gazetës Corriere della Sera se nuk ishte në dijeni që kolegu i tij i partisë kishte një armë në xhep dhe ai kishte dalë jashtë shtëpisë kur ajo u shpërtheu.

“Konfirmoj se gjuajtja ishte aksidentale, por nuk isha unë ai që e gjuajti atë”, citohet të ketë thënë Pozzolo.

Kryeministrja Meloni nuk ka reaguar ende për incidentin, por partia e saj ka dalë me një deklaratë duke theksuar se incidenti nuk ka asnjë "relevancë politike". Autoritetet lokale do të hetonin se çfarë kishte ndodhur, por ishte "absurde" ta kthenin atë në një sulm politik.

Partia tha se do të merrte masat e duhura nëse zoti Pozzolo do të kishte bërë ndonjë gjë të pahijshme./ZËRI

Poll

MOS HUMB