
ITALI- Pas afro një muaji nga aksidenti ku humbën jetën 3 të rinj, mes tyre 2 shqiptarë, në Venecia, kanë dalë dhe rezultatet e autopsisë. Rezultatet tregojnë se viktimat kanë qenë nën efektin e alkoolit në momentin e aksidentit, si dhe kanë përdorur substanca psikotrope.
“Nuk i kishin lidhur rripat e sigurimit dhe kishin pirë alkool dhe substanca psikotrope, ndoshta hashash dhe marihuanë”, thuhet në rezultatin e autopsusë, për Altin Hoti, i cili ishte edhe shoferi i makinës, Egli Gjecin dhe vajzën italiane Gulia Di Tillio, raporton Corriere della Serra. Gulia ishte dhe e dashura e Altin Hotit.
Autopsia konstatoi menjëherë se tre të rinjtë vdiqën nga mbytja, por prokuroria e Pordenones kërkoi një raport shtesë për të verifikuar praninë ose jo të substancave alkoolike dhe drogave në gjakun e të treve.
BMW-ja me të cilën po udhëtonin tre të rinjtë natën e 8 dhjetorit ishte me shpejtësi të madhe. Dëshmitarë thanë se makina vijoi drejt në një kthesë, duke marrë para barrierën e urës dhe përfundoi në lumë. Altin Hoti vetëm 6 muaj më parë humbi vëllain e tij të vogël Admir Hoti në një aksident me makinë. Ai ishte vetëm 18 vjeç.