Bota

Jep dorëheqjen kryeministri i Skocisë

Qeveria e koalicionit të Yousaf u shpërbë papritur javën e kaluar kur ai prishi një marrëveshje me deputetët e Partisë së Gjelbër.

f.t
Jep dorëheqjen kryeministri i Skocisë
Humza Yousaf

SKOCI-Ministri i Parë skocez Humza Yousaf ka dhënë dorëheqjen një vit pas rënies së qeverisë së tij. Tejkalimi i ndarjeve aktuale politike "mund të bëhet vetëm nga një person tjetër në krye ", deklaroi ai në një konferencë shtypi, duke shtuar se do të qëndrojë në detyrë derisa të emërohet pasuesi i tij, raportojnë mediat e huaja. 

Qeveria e koalicionit të Yousaf u shpërbë papritur javën e kaluar kur ai prishi një marrëveshje me deputetët e Partisë së Gjelbër, një veprim i rrezikshëm që iu kthye mbrapsht, kur të Gjelbërit thanë se do të votonin kundër tij në një mocion besimi.

Yousaf, 39 vjeç, u zgjodh udhëheqës i SNP, Partia Kombëtare Skoceze , në mars 2023, pas dorëheqjes së Nicola Sturgeon . Në total ai kaloi 13 muaj në krye të qeverisë rajonale. Opozita konservatore dhe ajo laburiste paraqitën mocione mosbesimi kundër Yousafit , të cilat do të hidhen në votim këtë javë. Të Gjelbrit njoftuan se do të votojnë kundër kryeministrit, duke e detyruar atë të kërkojë mbështetjen e ligjvënësit të vetëm nga Alba, një tjetër parti pro-pavarësisë.

Yousaf - lideri i parë mysliman i një partie të madhe politike britanike tha në një deklaratë se ai besonte se fitimi i mocionit ishte "absolutisht i mundur". Por ai shtoi se ai "nuk ishte i gatshëm të heqë dorë nga vlerat apo parimet e mia apo të bëjë marrëveshje me dikë thjesht për të ruajtur pushtetin".

Pas dorëheqjes së Yousaf, Parlamenti do të ketë 28 ditë për të gjetur një kryeministër të ri./ZËRI

Poll

MOS HUMB