
IZRAEL- Izraeli po vijon luftën, ku pas Gazës po përgatitet për një pushtim në Rafah. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu urdhëroi ushtrinë të përgatitet për të evakuuar civilët nga qyteti jugor i Gazës, Rafah, përpara se shteti hebre të nisë atje një ofensive të zgjeruar kundër Hamasit.
Rreth 1.5 milionë palestinezë janë mbledhur në Rafah për të kërkuar strehim nga operacionet luftarake izraelite në pjesën tjetër të Rripit të Gzës. Pas urdhrit erdhi dhe sulmi i parë. Forcat ajrore izraelite sulmuan qytetin Rafah,ku 28 persona u vranë ndërsa sulmet ajrore goditën disa shtëpi. Raportohet se mes të vdekurve, 10 ishin fëmijë.
Washingtoni e paralajmëroi më herët Tel Avivin se pushtimi i Rafah-së do të ishte një “katastrofë”, e shqetësim shprehën edhe BE-ja dhe OKB-ja, ndërsa sipas Reuters, Egjipti ka nisur 40 tanke dhe autoblinda në gadishullin e Sinait, si pjesë e masave për të forcuar sigurinë në kufirin me Gazën.
Netanyahu duket se nuk do ndalet pasi u kërkoi zyrtarëve ushtarakë dhe atyre të sigurisë të “paraqesin në kabinet një plan të kombinuar për evakuimin e popullsisë dhe shkatërrimin e batalioneve” të Hamasit. Argumenti i dhënë prej tij është se e konsideron të pamundur arritjen e qëllimit të kësaj lufte pa eliminuar grupin militant./ZËRI