
BULLGARI- Çdo familje bullgare ka një histori për të treguar për një të afërm që kërkoi ngushëllim në urtësinë e Baba Vangës. Para vdekjes së saj në vitin 1996, njerëzit në të gjithë Ballkanin dhe më gjerë udhëtuan për në shtëpinë e saj në zonën malore të Rupite, rreth 110 milje nga kryeqyteti i Sofjes.
Figura e saj është ende një besim i rrënjosur në psikikën kulturore të bullgarëve, i përcjellë nga një brez në tjetrin si një trashëgimi. E njohur si 'Nostradamusi i Ballkanit' për parashikimin e së ardhmes, Vanga bëri emër në të gjithë Evropën për parashikimin e katastrofës së Çernobilit në Ukrainë, vdekjen e Princeshës Diana, 11 shtatorin e Nju Jorkut, madje edhe vdekjen e saj në moshën 85-vjeçare.
Sa herë që ajo parashikonte saktë një ngjarje, legjenda e saj merrte dhenë, madje edhe në Rusi ajo konsiderohet si shenjtore. Metro.co.uk udhëtoi për në Bullgari për të vizituar shtëpinë e saj, e vendosur pranë qytetit antik të Heraclea Sintica, për të zbuluar nëse trashëgimia e saj i ka rezistuar provës së kohës. Vanga, e cila deri në vdekjen e saj nuk përdori mbiemrin e saj të familjes Gushterova, jetoi në një shtëpi të vogël në Rupite në vitet e fundit të jetës së saj pasi e konsideronte zonën një burim energjie. Kjo pasi ishte e vendosur në rrëzë të malit vullkanik Kozhuh, është i famshëm për burimet minerale 'shëruese' me temperaturë 74°C.
Shtëpia e Vangës pasqyronte sjelljen e saj modeste. Fotografitë e tregojnë atë të veshur me veshje të thjeshta si përparëse dhe rroba pambuku, dhe pulovra leshi të punuara me dorë, shumë tradicionale në fshatrat e vendit. Shtëpia e saj, e përbërë nga vetëm dy dhoma, është e mobiluar në mënyrë modeste. Dhoma e saj e gjumit ka një krevat tek dritarja, ndërsa raftet janë të mbushura me ikona ortodokse, libra dhe vazo me bimë.
Pak metra larg shtëpisë, ka një kabinë të vogël ku Vanga takohej me qytetarët dhe dëgjonte shqetësimet e tyre. Shtëpia e saj modeste mblidhte edhe politikanët, pavarësisht nga grada e tyre. Ata vinin për të pyetur për të ardhmen e tyre. Leonid Brezhnev, lideri i Bashkimit Sovjetik deri në vdekjen e tij në 1982, u konsultua me të dhe një herë i kërkoi asaj t'i zgjaste jetën.
Po ashtu, sipas një legjende, ish-presidenti i Kazakistanit Nursultan Nazarbayev u takua me të në vitin 1984, 6 vjet përpara se ai të merrte postin. Baba Vanga i tha se do arrinte një 'fuqi të madhe' dhe se do të sundonte vendin e tij, por kjo nuk do i sillte lumturi.
Vanga u verbua nga një tornado që përfshiu Bullgarinë jugperëndimore kur ajo ishte 12 vjeç. Legjenda thotë se menjëherë pas incidentit, ajo fitoi aftësinë për të parashikuar të ardhmen./ZËRI