
SHBA-Gjykata e Lartë e Kolorados mori të martën vendimin për të përjashtuar ish presidentin amerikan nga votimi në zgjedhjet paraprake republikane në shtet për shkak të rolit të tij në sulmin në Capitol Hill më 6 janar 2021.
Avokatët e Donald Trump kanë njoftuar se do të apelojnë vendimin në Gjykatën e Lartë të SHBA.
“Gjykata e Lartë e Kolorados nxori një vendim krejtësisht të gabuar dhe ne do të apelojmë shpejt në Gjykatën e Lartë të SHBA dhe do të kërkojmë pezullimin e këtij vendimi thellësisht jodemokratik”, thanë avokatët e Trump.
Vendimi historik e bën Trump kandidatin e parë presidencial që konsiderohet i papërshtatshëm për Shtëpinë e Bardhë. Vendimi zbatohet vetëm për zgjedhjet paraprake republikane të Kolorados më 5 mars, por mund të ndikojë në statusin e Trump në shtet për zgjedhjet e përgjithshme të 5 nëntorit. Sipas parashikimeve nga hulumtuesit jopartiakë të zgjedhjeve, shteti Kolorado është një bastion i demokratëve, që do të thotë se Presidenti Biden e ka të sigurt fitoren pavarësisht fatit të Trump.
Ndërkohë Donald Trump, kandidati kryesor për nominimin presidencial republikan në vitin 2024, akuzohet së bashku me dy djemtë e tij dhe gati dhjetë bashkëpunëtorë biznesi se kanë fryrë vlerën e aseteve të tij me miliarda dollarë për të siguruar kushte më të favorshme kreditimi dhe sigurimi. Prokurorja e Përgjithshme Demokratike e Nju Jorkut, Letitia James po kërkon të paktën 250 milionë dollarë gjobë, një urdhër i përhershëm kundër Trump dhe djemve të tij Donald Jr. dhe Eric për të drejtuar një biznes në Nju Jork dhe një ndalim pesë-vjeçar të pasurive të paluajtshme komerciale për Trump dhe kompanitë e tij. /ZËRI