
KOSOVË- Anullohet takimi që pritej të zhvillohej mes Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj. Shkak si pas këtij të fundit është bërë vonesa e Osmanit. Në një reagim për mediat zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili shprehet se Osmani është vonuar dhe nuk ka shkuar në orar.
Kushtrim Xhemaili: Dje e kishim një vullnet të mirë për të biseduar me presidenten Osmani për çështjet me rëndësi për vendin, veçanërisht për draft-statutin e Asociacionit. Kryetari Ramush Haradinaj si dhe sekretari i Përgjithshëm Muharrem Nitaj ishin në Presidencë në orarin e përcaktuar nga presidentja Osmani, por fatkeqësisht presidentja nuk respektoi orarin e caktuar nga vetë ajo dhe për këtë arsye takimi nuk është realizuar.
Por dhe Presidenca ka qëndrimin e saj. Sipas Këshilltarit për mediat të Vjosa Osmanit, Bekim Kupina, kreu i AAK-së nuk ka dashur të presë.
Bekim Kupina:Takimi ishte paraparë të mbahet, por për shkaqe protokollare nuk është realizuar. Z.Haradinaj nuk ka dashur të presë derisa protokolli e ka njoftuar presidenten për arritjen e tij.
Takimi mes Vjosa Osmanit dhe Ramush Haradinajt kishte të bënte për diskutimet në lidhje me Asosacionin. Presidetja e Kosovës Vjosa Osmanit ka ftuar në takim tre liderët e opozitës, por deri më tani është takuar vetëm me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku./ZËRI