
KOSOVË-Të tjera armë janë gjendur në veri të Kosovës. Autoritetet e Kosovës kanë konfiskuar sasi të konsiderueshme të armatimit në pjesën veriore, që dyshohet të ketë mbetur aty, pas sulmit të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit. Gjatë një konference të jashtëzakonshme për mediat, zyrtarët e lartë të policisë kanë bërë të ditur se këto janë planet ogurzeza të Serbisë.
Ministri i Brenshëm Xhelal Sveçla tha se ky arsenal është mbetje e armatimit të grupeve terroriste nga Radoiçiç të dirigjuara nga presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç.
Sveçla: Ka të dyshuar të tjerë për të cilët drejtori do t’ju flasë. Këto janë planet ogurzeza të Serbisë. Ne nuk do të ndalemi për të ofruar siguri qetësi dhe stabilitet qoftë për qytetaret tanë dhe sovranitet dhe integritet territorial për Kosovën. Patjetër të gjithë ata që janë përfshirë në akte dhune, akte terorrizmi ata të cilët cenojnë rendin kushtetues dhe integritetin territorial shkelin ligjin të gjithë do të vihen para drejtësisë dhe do të dënohen bazuar në veprat që i kanë shkaktuar sigurisë së Kosovë. Është depoja e pestë që brenda vitit që ne kemi zbuluar dhe është edhe një dëshmi e përfshirjes direkte e shtetit të Serbisë në tendencën për të destabilizuar Kosovën me qëllim okupimin e saj, ose pjesë të saj, nga të gjeturat kuptohet se përveç pjesëtarëve të deritanishëm.
Pas sulmit në Banjskë janë gjetur shumë armatime dhe municione në veri të vendit. Më 24 shtator 2023, një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Më pas sulmuesit u strehuan në manastirin e këtij fshati, prej ku vazhduan përleshjet me policinë. Gjatë përleshjeve u vranë tre sulmues. Pas sulmit, në Manastirin e Banjskës dhe objektet përreth, përfshirë shtëpi banimi, u konfiskua sasi e madhe armatimi, përfshirë 29 raketahedhës të mbushur dhe 7 të përdorur, automjete të blinduara, më shumë se 20 automjete malore dhe dy motorë për terrene malore./ZËRI