Bota

Gabimi teknik në llotari bëri për pak kohë të pasur mijëra qytetarë

Kompania i merr shumat e çmimeve EuroJackpot nga Gjermania në euro, të cilat më pas konvertohen në korona norvegjeze.

k.m.
Gabimi teknik në llotari bëri për pak kohë të pasur
Foto ilustruese

NORVEGJI- Buzëqeshja për mijëra norvegjezë që u informuan se kishin fituar shuma të mëdha në një short lotarie ishte jetëshkurtër, pasi në fund rezultoi se kishte ndodhur një gabim nga kompania shtetërore e lojërave të fatit, "Norsk Tipping". Në një deklaratë të premten, Norsk Tipping bëri me dije se mijëra klientë të tyre kishin marrë një mesazh se kishin fituar çmimin e madh. Por nuk ishte kështu!

Kompania i merr shumat e çmimeve EuroJackpot nga Gjermania në euro, të cilat më pas konvertohen në korona norvegjeze.

"Gjatë këtij konvertimi, u bë një gabim manual në kodin që po futej në motorin tonë të lojës. Shuma u shumëzua me 100, në vend që të pjesëtohej me 100,"-tha kompania në një deklaratë.

Gabimi shkaktoi kritika të ashpra nga klientët, rregullatorët dhe ministri i kulturës i Norvegjisë. Kompania mbajti një takim urgjent me Ministrinë e Kulturës të shtunën për të shpjeguar incidentin. Të dielën, CEO, Toni Sagstuen njoftoi se do të tërhiqej nga pozicioni që mbante që nga shtatori i vitit 2023.

“Si CEO, ishte përgjegjësia ime të adresoja gabimet që kanë ndodhur. Prandaj, është gjithashtu jashtëzakonisht e trishtueshme që duhet të largohem nga "Norsk Tipping" dhe të gjithë njerëzit e talentuar që punojnë atje. Do të më mungojnë të gjithë ata me të cilët kam punuar, por jam i bindur se të gjitha proceset e përmirësimit që kemi filluar janë në duar të sigurta,"-tha ajo.

Disa norvegjezë thanë se kishin filluar të festonin përpara se të zbulonin gabimin.

Një çift besonte se kishte fituar rreth 101,000 euro, ndërsa të tjerë thanë se po planifikonin të blinin makina ose të shkonin me pushime para se të kuptonin se nuk kishin fituar asgjë.

Kjo nuk është hera e parë që Norsk Tipping përballet me probleme të tilla, pasi me "ngjarje të ngjashme teknike" ishin përballur edhe vitin e kaluar./ZËRI

Poll

MOS HUMB